Jozefina Topalli, ish-kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, vjen në një rrëfim ndryshe në “News 24”. Përballë studentëve në “Këndin e Ekselencës” në “Vila 24”, deputetja demokrate tregon një natyrë ndryshe të sajën, fëmijërinë, martesën, emocionet e të qenit nënë, dhe përfshirja në politikë.
E etiketuar si “zonja e hekurt e politikës shqiptare”, Topalli thotë se “është një perceptim që ndoshta unë i kam dhënë shkas edhe vetë. Politika është një kuzhinë e nxehtë që nuk pate guximin për t’i rezistuar të hedh jashtë. Besoj se kam marrë vendime të forta gjatë kohës që kam qenë në politike, por kjo nuk do të thotë se një politikan i ashpër nuk ka një shpirt të butë. Këto janë plotësuese të njëra-tjetrës”.
Teksa rrëfen për marrëdhëniet brenda familjes ajo thotë se është krejt e kundërta.
“Kur vjen puna për tek familja unë jam ndryshe. Nuk jam unë ajo që i marr vendime, unë jam ajo që i zbatoj”.
Tregon edhe një pasion të saj për punimet e dorës. Teksa tregon sesi ka punuar me përkushtim për punimet e ndryshme, ajo thotë se ato janë vërtet punime artistike.
“E kam punuar me shtiza të holla. Kam patur shumë vullnet. Dhe dukej si e blerë. Kam bërë edhe çarçafë me punim me dorë. E kam punuar duke tërhequr fijet. Tek babai im kam pasur një shtëpi shumë të madhe. Ka patur 20 dhoma. Në shtëpinë e prindërve ka patur një qyq guri, shumë i vjetër, ishte shumë i bukur. Kishim një oborr shumë të madh, gjysma ishte me lule, im atë kujdesej shumë për lulet. Gjithë fëmijët e rrugicës mblidheshin të kopshti ynë për të luajtur. Kam pëlqyer shumë edhe muzikën”, rrëfen Jozefina.
Teksa kujton ditën e martesës, Jozefina thotë se ka qenë shoqja e saj e cila është kujdesur për modelin e saj të flokëve dhe makijazhin.
“Të dy fëmijët i dua shumë. Megi më ka bërë të ndjehem nënë për herë të parë. Emocionet dhe netët pa gjumë janë të paharrueshme. Por aty ku dridhem është djali”, rrëfen Jozefina.