Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, ka reaguar sot për herë të parë në emër të institucionit ku punon, për tenderin që i është dhënë gruas së Agim Kajmakut, në një kohë që ky i fundit është në kërkim.

E ftuar sot në “Byro Politike”, Voda u shpreh se tenderi nuk është dhënë nga ministria, por nga një agjenci që është në varësi të ministrisë së Brendshme, që ka drejtor dhe punonjës që merren me këto procedura.

“Nuk jep ministria e Brendshme tendera për lulishten e QSUT, ka një agjensi. Është nën ombrellën e ministrisë. Tingëllon keq kur thuhet ministria e Brendshme. Nëse kanë qenë të gjitha kriteret komfort ligjit është në rregull. Nëse ka pasur të dhëna se atëherë këtu ka një lloj përgjegjësie. Duhet të jemi të kujdeshëm kur themi ministria e Brendshme. Ka një agjensi të caktuar, ka një drejtor, ka disa punonjës”, tha Voda.

Agim Kajmaku i shpallur në kërkim nga të gjitha autoritetet shtetërore, ka përfituar tender nga Ministria e Brendshme përmes bashkëshortes së tij. Institucioni që e ka shpallur në kërkim Kajmakun, eshte po ai që i jep atij një tender që mban datën 20 janar 2020. Tenderi me vlerë 6 milionë lekë i është dhënë Kajmakut për të gjelbëruar një sipërfaqe brenda Kampusit Universitar në QSUT.