Nga Mentor Kikia

Kishin thuajse të njëjtin fjalor deputetët dhe drejtuesit e opozitës, që folën para protestuesve. Qeveri e korruptuar, tenderave sekserëve dhe klientëve të qeverisë, pazare, varfëri etj etj. Por më tërhoqi vëmendjen njëri prej tyre, i cili iu drejtua mbështetsve të PD-së dhe përmes kamerave të gjithë shqiptarëve: “Mos u dorëzoni, kini durim, do ta bëjmë Shqipërinë, të gjithë bashkë do ta bëjmë”. Mu dukën si fjalë të ndonjë aktori filmash, nga ata të rilindjes, Rilindjes së parë dhe të vërtetës, apo Ismail Qemalit.

“Do ta bëjmë Shqipërinë…”- çfarë shprehjeje, e thënë kjo në 2015. Ky që e tha këtë, Asllan Dogjani, ka qenë deputet i PS-së dhe meqë Rama nuk e futi në listë, e kapi kohën dhe kaloi me vrap tek PD-ja. E u bë më demokrat se ata që e themeluan PD-në. Nuk iku sepse nuk ishte dakord me mënyrën sesi drejtoi Rama PS-në, as se nuk kishte besim tek Rama. Iku sepse mbeti jashtë. Pas tij edhe Jozefina Topalli tha se ne “do ta bëjmë ndryshe Shqipërinë”. Këto ligjërata më kujtoi edhe një tjetër deputet, Kokëdhimën nga PS-ja, i cili si babaxhan i vërtetë, e kishte në majë të gjuhës shprehjen: Biri im, do ta bëjmë Shqëipërinë. Dhe e dimë ç’i ka bërë ai gjërave që ka patur në dorë.

Teksa e shikon këtë parlament dhe tërë klasën politike tonën, bindesh për një gjë: Ne nuk kemi as të majtë, as të djathët, as qendër. Partitë tona nuk kanë asnjë ideologji, nuk përfaqësojnë asnjë shtresë shoqërore. Ato funksionojnë apo krijohen si bashkime interesah, sh.p.k. Deputetë që janë hedhur sa majtas djathtas, e anasjelltas. Që kanë qenë të majtë, kanë marrë vota me të djathtën e janë bërë sërish me të majtën, duke shitur votat parlamentare në këmbim të koncensioneve e tenderave dhjetra miliona euroshe. Ka vetëm një ndryshim. Kontratat e biznesit ato i quajnë marreveshje politike. Por vetëm politikë nuk ka aty.

Të gjithë sunojnë të rrjepin. Blejnë me para mandatet, e i shesin ato për shumë më shumë para. Dhe ju do ta bëni Shqipërinë? /javanews/