Nga Desada Metaj

Nuk e di a ja kanë dhënë sot për të lexuar përmbledhjen e lajmeve kryeministrit Rama. Ndoshta i lexon në mbrëmje, pas daljeve të programuara në televizione. Nuk e di as se çfarë mund të përmbledhë për “të rëndësishme” stafi i tij, por di me siguri që Edi Rama do të kënaqet shumë kur të shohë se lajmi që ai mblodhi në një darkë pronarë mediash dhe gazetarë, është kryelajmi i ditës në një ­­­­­­vend ku gjëja më e thjeshtë është të kritikosh një qeveri që krizën ekonomike dhe atë morale e ka bërë aq të zakonshme, sa duket se nuk përbën më asnjë lajm.

Për këtë do e ketë pasur zoti Rama edhe fjalinë që: “nuk lexon lajmet që përgatisin gazetarët”, edhe pse disa prej tyre i kishte mbrëmë në sofrën e Pallatit të Brigadave. Siç duket, kryeministri është lodhur së lexuari kritika për qeverisjen, ministrat dhe pushtetarët e tij, dhe tani mjaftohet me tellallet që ia thonë në vesh “lajmet e mira”, pasi të këqijat e turbullojnë dhe ia prishin terezinë. Këto kritika e kanë bezdisur Edi Ramën dhe e kanë shndërruar nga njeri të letrave në skenarist darkash me regji qendrore. I bezdisur nga raportimet dhe investigimet për qeveritarët e tij, kryeministri e stisi bukur një darkë me punonjës të shtypit, ku kolegë “ngacmonin” njëri-tjetrin, Edi Rama qahej dhe ankohej se po e sulmonin dhe në fund, të gjithë u morën me listën e të ftuarve, ndonëse për publikun më interesante do të kishte qenë menyja e darkës së servirur.

Nuk e di se çfarë përmbledhje i çojnë zakonisht Edi Ramës për të lexuar. Kam dyshime për gjatësinë e rreshtave të saj. Por nuk besoj që mos t’i kenë shkruar një rresht për tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë, shkrimet për situatën në tatime dhe dogana, abuzimet e investiguara seriozisht nga gazetarë që nuk e njohin personalisht dhe mbase nuk u vjen as për të qeshur me batutat e tij.

Kur e dëgjon sesi flet përpara gazetarëve të ftuar, të krijohet përshtypja se kryeministri ka lexuar vetëm portalin e tij, Transparenca.al. Dhe ndoshta ka bërë mirë, sepse vetëm përgënjeshtrimet mund të qetësojnë mendjen e trazuar të një qeveritari që gazetarëve u thotë se nuk ua lexon shkrimet, nuk ua sheh programet apo emisionet, a thua se çdo gjë që publikohet në këtë vend, bëhet në funksion të tij.

Ndoshta Edi Ramës, dikush duhet t’i thotë se jo vetëm ata të darkës, por edhe shumë të tjerë punojnë çdo ditë, mirë a keq, jo për të informuar kryeministrinë, por publikun, dhe është ai i vetmi që mund t’i gjykojë për punën që bëjnë. Unë nuk e di a do ia thotë dikush me sms kryeministrit të gjitha këto, por di me siguri që Edi Rama sot është më i gëzuari nga darka e mbrëmshme, ku kryelajmi se kush ishte, kush mungoi dhe kush nuk kishte ftesë, argëtoi atë dhe stafin e tij, në një vend ku halli i kryeministrit është qoka e radhës dhe e një pjesë të shtypit, a do jenë të preferuar të oborrit kryeminstror. Ama një gjë e di me siguri, që ka pasur në atë darkë gazetarë që si titull të lajmit do të kishin vënë : “ju lutem, mos e ngacmoni kaq shumë Edin !” /Opinion.al