Tani, kompania “KitKat” po kërkon ndihmën e publikut për të zbuluar se çfarë ka ndodhur me kamionin me 12 tonë çokollata që u grabit pak ditë më parë rrugës nga Italia për në Poloni.
Në një postim sot (1 prill), “Nestle” publikoi një postim për konsumatorët:
“Faleminderit për interesin tuaj për KitKat-et e zhdukura. Megjithatë, për të qenë të qartë, kjo nuk është një marifet publiciteti apo një shaka e 1 prillit. Dikush me të vërtetë vodhi 12 tonë KitKat. Dhe ne me të vërtetë duam të dimë se ku përfunduan. Kjo është arsyeja pse kemi krijuar një Gjurmues të KitKat-eve të Vjedhura, i cili ju lejon të kontrolloni nëse KitKat-i juaj është nga grupi i zhdukur!”.
Pra, nëpërmjet një platforme të posaçme që mund të gjendet në mediat sociale të kompanisë, mund të përdorni numrin e serisë të listuar në pjesën e pasme të paketimit.
Kamioni i vjedhur thuhet se ishte “i ngarkuar” me produktin special të bashkëpunimit të KitKat me Formula 1.
“Ne gjithmonë i kemi inkurajuar njerëzit të bëjnë një pushim nga KitKat, por duket se hajdutët e morën mesazhin shumë fjalë për fjalë dhe ia mbathën me mbi 12 ton çokollatë tonë”, tha një zëdhënës i kompanisë në ditët e fundit.
Në një deklaratë të postuar në Instagram të dielën, KitKat shtoi se “nuk ka shqetësime për sigurinë e konsumatorit dhe furnizimi nuk preket”.
Kjo nuk është e vetmja grabitje masive e çokollatës që ka ndodhur në Evropë kohët e fundit, pasi një burrë britanik u dënua me 18 muaj burg në korrik 2023 për vjedhjen e 200,000 vezëve Cadbury Creme me vlerë mijëra dollarë, pasi hyri me forcë në një fabrikë industriale dhe iku me plaçkën në një kamion të vjedhur.





