Mëngjesin e sotëm një makinë është përplasur me murin rrethues të zyrave të kancelares Angela Merkel në Berlin duke alarmuar policinë gjermane.
Automjeti, në njërën anë të së cilit shkruhej “ju vrasës të mallkuar të fëmijëve dhe të moshuarve” dhe në anën tjetër “ndaloni politikën e globalizimit”, hyri me shpejtësi në gardhin para zyrave.
“Kolegët tanë janë aktualisht në skenë në zyrën e Kancelares së bashku me policinë federale. Një makinë është duke qëndruar në portën e ndërtesës – ne jemi në proces të sqarimit nëse shoferi hyri brenda godinës. I dyshuari është marrë në paraburgim nga policia. Po ndjekim informacionin për rastin”, shkroi në Twitter policia e Berlinit.
Si makina, e cila është e tipit Volkswagen Sedan dhe ka targa të zonës së Lippe-s, në rajonin verior Vestfali, ashtu edhe porta metalike treguan shenja të vogla dëmtimi.
Ngjarja ndodhi në kohën kur po zhvillohej një video-konferencë mes kancelares Merkel dhe krerëve të landeve mbi masat e marra kundër pandemisë së koronavirusit.