• Prej fundjavës, jugu i Shqipërisë po përballet me përbytjet më masive të dekadave të fundit.

4 shkurt 2015 –  Qeveria është shfaqur e gjitha e angazhuar për të koordinuar operacionet e Shtabeve të Emergjencave për t’u ardhur në ndihmë qindra familjeve që kanë humbur thuajse çdo pasuri nga vërshimi i lumenjve, Vjosë, Seman e Osum në Vlorë, Fier e Berat. Në të vërtetë, jo të gjithë në qeveri e kanë vënë ujin në zjarr për situatën dramatike që po kalojnë banorët e zonave të përmbytura. Artan Shkreli, këshilltari i kryeministrit Rama, është nga ata që zjarrin e ka bërë gati për tjetër gjë: për një derr të egër. Ai e lajmëron vetë këtë fakt në faqen e tij në Facebook. Dhe për këtë ka zgjedhur Shkodrën, skajin më të largët nga zonat e përmbytura. Shkreli lajmëron se është në Shkodër për të marrë pjesë në një “seancë të dytë të ngrënies së një derri të gjuajtur në Krajë”.

Duhet thënë, për ata që nuk e dinë, që Kraja ndodhet në Mal të Zi dhe gjahtarët nuk kanë shkelur moratoriumin 2 -vjeçar të gjuetisë. Këto ditë kanë qenë të vështira për banorët e zonave të përmbytura të Vlorës, Fierit e Beratit, të cilët nuk po arrijnë të furnizohen as me ujë të pijshëm. Por për qeverinë gostitë nuk kanë munguar.

Kryeministri Rama u fotografua 1 ditë më parë në Vlorë duke drekuar në një restorant peshku së bashku me Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, menjëherë pasi kishin bërë një vizitë të shkurtër në zonën e përmbytur të Novoselës.

/lapsi.al/