18 korrik 2015 – Një lajm i trishtë trondit botën e Formula 1 por jo vetëm. Jules Bianchi, piloti francez ndërroi jetë në orët e para të së shtunes me lajmin e hidhur që e bëri të ditur familja e 25-vjeçarit. Piloti francez i Marussias ishte në koma që prej 5 tetorit të vitit 2014 kur në çmimin e madh të Japonisë për shkak të reshjeve të shiut ai humbi kontrollin e makinës duke dalë nga pista dhe për fatin e tij të keq u përplas me një vinç që po hiqte nga cirkuiti makinën e Adrien Sutil.
Bianchi fillimisht u operua në Japoni pasi kishte pësuar dëmtime serioze në tru duke rënë në koma dhe që prej asaj dite ai nuk e mori më veten. Familjarët e zhvendosën Jules-in në Francë, pranë tyre në spitalin e Nicës ku dhe ndërroi jetë. Familja e tij përmes një postimi në rrjetin social të Pilotit njoftoi lajmin e hidhur për tifozët ku mes të tjerash shkruhej:
“Luftoi deri në fund siç ka bërë gjithmonë, por sot beteja e tij për jetën u mbyll”.
Jules Bianchi lindi në 3 gusht 1989 në Nice të Francës dhe debutimin në Formula 1 e bëri në vitin 2013 me skuadrën Marussia. Ai kishte marrë pjesë edhe në garat Renault 3.5, GP2 dhe Formula 3. Fillimisht u bashkua me Ferrarin në vitin 2011 si pilot testues dhe më pas vazhdoi në të njëjtin pozicion te Force India. Ai është djali i 3 herë kampionit të kategorisë, GT, Mauro Bianchi dhe nipi i fituesit të garës 24 orë të Le Mans, Lucien Bianchi. Jules konsiderohej si një nga pilotët më të talentuar të Formula 1 dhe gjatë vitit 2014 e ardhmja e tij shihej te Ferrari, por zemra e 25-vjeçarit pushoi së rrahuri pas 9 muajve të gjatë dhe të lodhshëm duke u dorëzuar njëherë e përgjithmonë.
Ndarja nga jeta e Jules Bianchi ka tronditur botën e Formula 1. Çdokush në këtë botëror ka ndjerë një dhimbje të madhe për humbjen e pilotit francez në moshën 25-vjeçare. Rrjetet sociale, Twitter e Facebook, u kthyen në mjet për të gjithë pilotët dhe drejtues të skuadrave të Formula 1 për të shprehur ngushëllimet e tyre duke filluar nga Ferrari te Button, nga Vettel te Grosjean.
“Mirupafshin Jules! Do jetë përgjithmonë në zemrën tonë”, lexohet në postimin e Ferrarit në Twitter. Rrjetin social Twitter përdori edhe piloti i Red Bull, Daniel Ricciardo i cili në mesazhin e tij shkruante: “Nuk do të harroj kurrë ty dhe kohët e bukura që kemi kaluar bashkë. Do ta ndjejmë mungesën tënde”.Nuk mund të mos qëndronte pa shprehur keqardhjen e tij për humbjen as Sebastian Vettel: “Ngushëllimet e mia shkojnë për familjen dhe miqtë e Jules Bianchi në këtë moment të vështirë. U prehsh në paqe!”, shkruan Vettel.Ndërsa Jenson Button në mesazhin e tij shkruan: “Humbëm një djalë të shkëlqyer dhe një luftëtar të vërtetë! Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe miqtë e tij”.
Mesazhe ngushëllimi për Jules Bianchi kanë ardhur edhe nga bota e MotoGP, ku ata që u shprehën ishin Horge Lorenzo dhe Marc Marquez. “Vdekja e Jules Bianchi ishte një lajm i trishtuar”,lexohet në komentin e Lorenzos. Ngushëllimet shkojnë për familjen e tij”. Ndërsa Marq Marquez, në profilin e tij në Twitter shkruan: “Të gjitha ngushëllimet për familjen e Jules Bianchi. U prehtë në paqe!”.
Kjo është dhe videoja e aksidentit të rëndë të Jules Bianchi që i mori jetën pilotit francez: