Durrës, 29 qershor 2014 – Julian Ahmataj do të jetë sërish pjesë e Teutës, por kësaj radhe me një rol të veçantë, edhe lojtar edhe zëvendëstrajner. Drejtuesit e klubit Teuta, pak kohë pas mbylljes së sezonit, i propozuan rinovim kontrate mesfushorit veteran, me ndryshimin se këtë herë do të jetë jo vetëm lojtar, por edhe ndihmës i trajnerit Hasan Lika. 35-vjeçari elbasanas e sheh këtë si një sfidë me shumë përgjegjësi, por që do të përpiqet t’i shërbejë sa më shumë klubit dhe pse jo, t’i hapë rrugën një karriere të re si trajner.

“Është një përgjegjësi shumë e madhe për mua kjo detyrë. I jam shumë mirënjohës klubit për besimin e treguar ndaj meje dhe premtoj se do të vendos gjithë energjitë e mia në funksion të objektivave që do të kemi si skuadër. Pak nga pak karriera ime në futbollin e luajtur po shkon drejt mbylljes dhe dëshira për t’u futur në fushën e trainingut është një sfidë më vete për mua. Besoj që jo vetëm unë, por çdo futbollist në një të ardhme ka ambicie të jetë trajner. Kjo kërkon përkushtim dhe punë konstante dhe jam i bindur se do t’ia dal në të dyja rolet që më ka besuar klubi. Kam fatin që jam pjesë e Teutës, një klub dhe ambient ku mund të punosh lirshëm dhe në profesionalizëm të plotë. Nga ana tjetër, trajner i ekipit është emëruar profesor Hasan Lika, prej të cilit nuk kam asnjë dyshim që do të mësoj jashtëzakonisht shumë”, u shpreh fillimisht mesfushori i disa ekipeve në kampionatin shqiptar.

Ish-lojtari i kombëtares u ndal të analizonte edhe Teutën e sezonit të ri. Sipas tij po ndërtohet një ekip me lojtarë cilësorë, të cilët do ta mbajnë Teutën sërish mes ekipeve pretendente të Superiores.

“Që prej nisjes së merkatos, klubi ka afruar futbollistë me shumë kualitete. Mjafton të shohësh që pjesa më e madhe e tyre janë edhe lojtarë të ekipit Shpresa dhe kupton që ke të bësh me elementë premtues. Besoj se do të vijnë sërish lojtarë të tjerë dhe para fazës përgatitore ekipi do ta ketë marrë formën fillestare. Është e rëndësishme që secili prej nesh të hyjë në fushë i vendosur dhe vetëm për të fituar, duke krijuar një mentalitet që më pas të garanton suksesin. Me funksionimin siç duhet të të tria hallkave, klub-lojtarë-tifozë, me bindje e them që çdo gjë do shkojë mbarë për Teutën”, përfundoi fjalën mesfushori Julian Ahmataj.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/