Tiranë, 30 korrik 2014 – Në 26 shkurt 2014, persona të paidentifikuar ende nga policia realizuan një atentat me eksploziv ndaj biznesmenit Armando Çeka, 32 vjeç. Në këtë atentat mbetën të plagosur rëndë Armando Çeka, i gjymtuar, Artur Sharra, 46 vjeç dhe Julian Çela, 28 vjeç, juristi i firmës, i cili humbi të dy këmbët nga shpërthimi i telekomanduar.
Pastori i kishës protestante ku bën pjesë Juliani organizoi një fushatë bamirësie dhe arriti ta ndihmojë të riun shqiptar. Klinika e shquar amerikane “Scott Sabolich Prosthetics and Research”, në qytetin e Dallasit, ofroi protezat dhe fizioterapinë falas.
Një çift pensionistësh amerikanë, që nuk e njihnin fare Julianin, por bënin pjesë në të njëjtën kishë protestante, ofruan strehimin dhe ushqimin falas për Julianin dhe bashkëshorten e tij Erjolën, që është mësuese anglishteje në Tiranë. Ambasada Amerikane në Tiranë po ashtu tregoi kujdes për të evituar pengesat burokratike në pajisjen me viza të çiftit Çela.
Juliani tashmë ka filluar të hedhë hapat e para me protezat e reja. Ai bën shaka, kur thotë që është në garë me të birin vetëm nëntë muajsh se kush do të jetë i aftë të vrapojë i pari.
Për Julianin ëndrra amerikane është në formën e një palë këmbëve të reja artificiale, që do t’i mundësojnë të ecë e të vrapojë përsëri në jetë. Juliani premton se në Tiranë do të shkojë me këmbët e veta në zyrën juridike për të vazhduar punën si jurist.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





