Tiranë, 26 maj 2014 – Vetëm pak ditë më parë, ajo festoi 34-vjetorin e lindjes, e rrethuar mes miqsh dhe shumë buqetave më lule, në një festë surprizë që i shoqi i kish përgatitur enkas për rastin në fjalë. Ambienti i përzgjedhur ishte pikërisht vendi, që vetë këngëtarja e njohur, Juliana Pasha, e promovoi përmes fotosh në rrjetet sociale, restoranti me emrin ‘Odessa”, duke e kthyer kështu ëndrrën në realitet, pasi pasioni i saj për kuzhinën dhe të gatuarit është një fakt i njohur deri më tash.
Por, ajo që nuk dinim në lidhje me Julianën, e cila është e lidhur në martesë me kitaristin Altin Llakaj prej më shumë se tetë vitesh, është fakti se ky i fundit është babai i një vajze 15-vjeçare e cila jeton për momentin në Greqi. Dhe emri i restorantit “Odessa” pra është emri i bijës së Altinit. Këtë të vërtetë Juliana e ka rrëfyer përballë Rudina Magjistarit, në emisionin “Takimi i Pasdites” në TvKlan.
“Odessa është emri i vajzës së Altinit, me të cilën unë kam një marrëdhënie të shkëlqyer. Ajo ishte e pranishme në festën e inaugurimit të restorantit tonë, madje herë pas here shkëmbejmë me celular foto nga gatime të ndryshme qëpërgatisim në kuzhinën e restorantit dhe ia dërgojmë asaj për kënaqësi. Është një raport i shkëlqyer mes nesh, ne takohemi shpesh, unë shkoj shpesh në Greqi dhe jam e lumtur për faktin që biznesi ynë familjar do të mbajë emrin e saj, Odessa”, ka thënë Juliana Pasha.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





