Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker ka vlerësuar pozitivisht reformat e bëra në Shqipëri nga qeveria, duke thënë se në qoftë se do të vazhdojë ky ritëm, do t’i rekomandojnë Këshillit të Europës hapjen e negociatave me BE-në.
“Na kanë lënë mbresa reformat që janë kryer në Shqipëri. Dua që Shqipëria në të ardhmen të anëtarësohet”, deklaroi Presidenti i Komisionit Europian.
Juncker u pyet nga gazetarja e ABC News në Bruksel Erisa Zyka në lidhje edhe me fenomenin e drogës në Shqipëri. Për këtë pikë, zyrtari europian tha se edhe në këtë fushë janë bërë reforma të kënaqshme dhe duhet të vazhdojë ky ritëm.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Juncker bëri me dije gjithashtu se vitin e ardhshëm do të vizitojë Shqipërinë.
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama theksoi se reformat e bëra nga qeveria e drejtuar prej tij u vlerësuan nga Brukseli dhe kjo është një sfidë që duhet të vazhdojë. Sipas tij, 6 muajt e ardhshëm janë vendimtarë për hapjen e negociatave për Shqipërinë.
“Për mua është krenari që erdha në Bruksel me rezultatet të prekshme. Me shumë rezultate të prekshme duhet të vijojnë dhe sfida është e përbashkët dhe opinioni publik në Shqipëri do ta kupotpjë saktësisht mesazhin tuaj që ka të bëjë me një proces bazuar në meritë”, u shpreh Kryeministri Rama.





