Bruksel, 15 korrik 2014 – Jean Claude Juncker zgjidhet në krye të Komisionit Europian dhe deklaron bindshëm se është i vendosur të ndalojë zgjerimin e Bashkimit Europian gjatë mandatit të tij 5-vjeçar. Deklarata e fortë e tij u bë gjatë fjalës që Junker mbajti përpara eurodeputetëve, menjëherë pasi u zgjodh për të qenë në krye të Komisionit Europian.
Sipas tij, Bashkimi Europian ka nevojë për një ndalesë në procesin e zgjerimit në mënyrë që të konsolidohet ajo që është bërë deri më tani me 28 vendet anëtare. Por kjo, sipas Juncker, nuk nënkupton mosvazhdimin e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë perspektivë europiane.
Vendimi i Juncker prek drejtpërdrejt Shqipërinë, e cila është një ndër vendet aspirante për në Bashkimin Europian. Unioni europian është zgjeruar shumë, sidomos gjatë dekadës së fundit, pas disa pranimeve masive të vendeve ish-komuniste. Kroacia është shteti i fundit, i pranuar në BE.
Presidenti i ri KE-së u votua nga 422 eurodeputetë, nga 729 që janë në total në Parlamentin Evropian. Ai u mbështet pavarësisht kundërshtimeve që kishte nga kryeministri i Britanisë së Madhe David Kameron. Në fjalën e tij Junker tha se Komisioni nuk do të jetë thjesht një organ i unionit por një “trupë politike”. Duke folur për Euron, ai the se është kjo monedhë që mbron Evropën dhe evropianët.
Si rrallëherë për votimin e tij u përdor metoda e vjetër me kuti votimi dhe e fshehtë duke shmangur votimin e hapur dhe atë elektronik.
Juncker është “patatja e nxehtë” mes Londrës dhe Berlinit. Britania e cilëson atë si tepër centralizues, ndërsa Berlini dhe mbështetësit e tjerë të tij thonë se propozimet për rritjen e kompetencave të strukturave të përbashkëta të BE-së nuk do t’u imponohen vendeve anëtare dhe se ato do të jenë të lira të zgjedhin nëse duan apo jo t’u bashkohen nismave të tilla. Juncker do të marrë detyrën e tij në krye të Komisionit Europian në muajin nëntor, atëherë kur përfundon mandati i kreut aktual, Jose Manuel Barroso.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





