Junta ushtarake e Mianmarit ka shpallur një armëpushim të përkohshëm pas tërmetit shkatërrues të javës së kaluar, që ka lënë pas shkatërrim dhe viktima. Armëpushimi do të hyjë në fuqi nga sot dhe do të zgjasë deri më 22 prill, me qëllim përshpejtimin e përpjekjeve për ndihmën dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit pas tërmetit të së premtes, njoftoi televizioni shtetëror MRTV.

Në të njëjtën kohë, lideri i juntës, gjenerali Min Aung Hlaing, do të udhëtojë nesër në Tajlandë për një samit rajonal me liderët e vendeve të Azisë Jugore, ku do të informojë për situatën pas katastrofës natyrore.

Mianmari vazhdon të jetë i përfshirë në një konflikt civil që ka filluar pas grushtit të shtetit të 1 shkurtit 2021, kur ushtria mori pushtetin, duke përmbysur qeverinë e Aung San Suu Kyi. Dhjetëra grupe të armatosura të pakicave etnike dhe kundërshtarë politikë të juntës vazhdojnë të mbeten aktive dhe kontrollojnë zona të caktuara të vendit. Konflikti ka shkaktuar një goditje të rëndë ekonomisë dhe ka çuar në kolapsin e shërbimeve thelbësore.

Tërmeti me magnitudë 7.7 ballë ka marrë jetën e të paktën 2,886 njerëzve në Mianmar dhe ka shkaktuar gjithashtu viktima dhe dëme të mëdha në Tajlandën fqinje.