Më 18-19 shkurt, 9 notarë të Teutës dhe trajneri e tyre me përvojë Agron Ismailati, morën pjesën në aktivitetin e njohur ballkanik të notit me emrin Mimoza Cup që organizohet për çdo vit në Hercegnov të Malit të Zi. Në tërësi notarët e Teutës, që konkurruan me homologët e tyre ballkanas u prezantuan mirë, por ndër to spikati notimi i 16-vjeçarit Jurgen Hoxha. Hoxha meritoi medaljen e argjendit për moshën në 50 metra stil delfin dhe medaljen e bronzit në 100 metra stil i lirë. Ndërsa në garën e hapur, ku startuan edhe notarët me moshë më të madhe, Jurgen Hoxha përsëri mbeti në zonën e medaljeve. Ai fitoi medaljen e bronzit, që ishte e treta për të gjatë ditëve të konkurrimit. Prezantimi i Jurgen Hoxhës mbetet nga më mirët, gjatë pjesëmarrjes së notarëve durrsakë në këtë kompeticion. Ismailati shpjegon se edhe më tej me punën që bëhet, notarët e Teutës do të vazhdojnë të mbeten në pararojë të notit shqiptar.