Deputeti i qarkut të Durrësit Jurgis Çyrbja është votuar si ligjvënësi më aktiv i qytetit të Durrësit. Në një sondazh të shpërndarë në “Facebook”, Çyrbja mblodhi 53 % të votave në pyetjen se cili nga lista prej 14 deputetësh që ka ky qark, ka qenë deputeti më i organizuar dhe ai që i ka qëndruar më pranë qytetarëve.
Deputeti i zgjedhur nga votat e qytetarëve Çyrbja mblodhi 53 % të votave, i ndjekur me 28 % nga deputeti tjetër socialist Arkend Balla, duke vijuar me Edi Ramën me 9% dhe më pas me nga 2% e 1% si dhe 0% me deputetët e tjerë socialistë e demokratë.
Në një listë prej 14 deputetësh nga mazhoranca dhe opozita, bie në sy fakti se Çyrbja është i vetmi ligjvënës që merr më shumë se gjysmën e klikimeve nga votuesit online, kjo edhe në sajë të aktivitetit që ai shpalos thuajse çdo ditë në rrjetet sociale për zonën ku i është përcaktuar të mbulojë.
Ndërkohë sot Jurgis Çyrbja ka përshëndetur me këtë foto nga Milano, në prag të nisjes së takimit që Kryeministri Edi Rama do të mbajë me emigrantët shqiptarë në Itali.