DURRËS, 3 tetor 2014 – Një qytetar nga Durrësi ka paditur ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke i kërkuar dëmshpërblim 5 milionë lekë të reja. Aktpadia është dorëzuar më 15 korrik të këtij viti në Gjykatën e Tiranës. Avokat Ilir Malindi në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", dje deklaroi se familja e tij dhe konkretisht djali i tij, Gentian Malindi po përndiqet nga Policia e Shtetit që prej dy vjetësh. "Policia na ushtron kontrolle banese në orë të ndryshme të natës pa mandat nga gjykata, kontroll të makinave dhe të anijes që ka djali në pronësi. Por më e keqja është se kanë nxjerrë urdhër arresti nëse im bir largohet nga vendi. 12 orë pas seancës së fundit gjyqësore të zhvilluar më 25 shtator, policia na ka djegur dy makinat që kam unë dhe bashkëshortja në shenjë hakmarrjeje", tha Malindi.
Avokat, si kanë nisur problemet me policinë në Durrës?
Më 8 qershor të vitit të kaluar, policia më arrestoi djalin e madh, Gentianin, me profesion jurist për trafik të lëndëve narkotike. Në të katër gjykatat, atë të Durrësit, Kavajës, Gjykata e Apelit dhe ajo e Lartë u rrëzua akuza kundër Gentianit, ndërsa arrestimi nga Policia e Shtetit u konsiderua i pabazë. Që prej asaj kohe Policia e Shtetit po sillet si një bandë kriminele ndaj familjes sonë.
Mund të na thoni konkretisht përse ju përndjek policia?
Që prej asaj kohe na kanë batërdisur shtëpinë. Vijnë orar pa orar në shtëpi me qentë antidrogë dhe bëjnë kontrolle. U kam kërkuar mandatin e kontrollit nga gjykata, por nuk kanë pasur. Pas kontrolleve të njëpasnjëshme nuk kanë gjetur në banesë asnjë gjë. Agravimi me policinë ka arritur deri aty sa djali është ndaluar në kufi disa herë, pasi emri i tij është regjistruar në sistemin TIMS pa asnjë bazë ligjore. Më 29 qershor të këtij viti, tim bir e kanë ndaluar në pikën kufitare të Kakavijës. Policët e kanë lidhur dhe rrahur Gentianin për kundërshtimin që bëri, pasi nuk kishte asnjë precedent penal apo urdhër arresti. Kanë filluar të marrin në pyetje persona të dënuar nga gjykatat duke i pyetur për djalin tim etj, kanë filmuar dhe fotografuar në rrugë operative kriminale, si dhe kanë bërë kontrollin e llogarive bankare pa asnjë autorizim nga gjykatat.
Si keni reaguar dhe a keni bërë denoncim?
I gjendur para këtyre fakteve kriminale të Policisë së Shtetit të drejtuara nga Saimir Tahiri dhe vartësve të tij, iu drejtuam Gjykatës së Tiranës. Kemi paditur Ministrinë e Brend-shme që përfaqësohet nga qytetari Saimir Tahiri, aktualisht ministër. Kërkojmë dëmshpërblim në shumën 5 milionë lekë të reja.
Janë zhvilluar seancat gjyqësore dhe çfarë ju ka ndodhur më pas?
Më 25 shtator të këtij viti, në vazhdim të gjykimit civil me objekt "Shpërblim dëmi moral", gjykata paralajmëroi juristët e Ministrisë së Brendshme se me veprimet e kryera me autorizim të ministrit Saimir Tahiri do të vendoste pranimin e padisë së djalit tim, Gentian Malindi, duke na shpërblyer në shumën 5 milionë lekë të reja. Në ora 2:45 të 26 shtatorit, pra 12 orë mbas gjyqit, u vihet flaka dy makinave të familjes sime, që ishin të parkuara pranë oborrit të shtëpisë.
Zoti Malindi, pse keni paditur ministrin Tahiri?
Sepse i kam dërguar tri mesazhe të njëpasnjëshme në periudha të ndryshme kohore që të ndërhynte institucionalisht dhe nuk e ka bërë. Jo vetëm kaq, por pas çdo mesazhi që i kam dërguar, policia e Durrësit ka intensifikuar goditjen ndaj familjes sonë. Për këtë i kam dërguar shkresë kryeministrit, Edi Rama; Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llala; ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu; Avokatit të Popullit dhe drejtorit të Policisë së Durrësit.
/marrë nga BalkanWeb/





