Rrjetet sociale janë pjesë e pandarë e përditshmërisë sonë. Por ndërsa kalojmë shumë minuta apo orë të ditës duke ndërvepruar me të tjerët në rrjete sociale, pak dimë për aspektin ligjor që lidhet me përdorimin e tyre. E njëjta gjë ndodh dhe me Inteligjencën Artificiale, që kohët e fundit ka nisur të përdoret gjerësisht edhe në vendin tonë. Libri më i ri i juristit Mustafa Llani, me titull “E drejta kibernetike dhe Inteligjenca Artificiale”, synon të sjellë tek lexuesit një gamë të gjerë njohurish juridike mbi këtë fushë, që fsheh shumë të panjohura.

“Me botimin e ri synohet një plotësim i njohurive përsa i përket literaturës juridike në fushën e teknologjisë, pasi literatura në këtë fushë është e pakët dhe supozohet që ne duhet të rritemi dhe të thellojmë njohuritë tona duke qenë se sot ambienti ku po jetojmë po shkon dita – ditës më shumë drejt digjitalizimit. Shpesh shohim pjesën tekniketë IA-së të inxhinierëve të shkencave kompjuterike por kur vjen puna tek aspekti ligjor i cili është gjithashtu shumë i rëndësishëm njohuritë janë të pakta dhe njerëzit nuk janë shpesh të vetëdijshëm në lidhje me të dhënat e privatësisë, e cila është një nga elementët kryesorë të sfidës së teknologjisë sot”,– thotë autori Llani.

Ky libër është botimi i dytë që juristi Mustafa Llani hedh në treg, pas publikimit të librit “Krimi kibernetik”, 2 vite më parë. I apasionuar pas kibernetikës dhe Inteligjencës Artificiale, Llani nuk do të ndalet vetëm në këto dy botime, sepse siç e pranon edhe vetë kjo fushë është në evoluim e sipër dhe kuadri ligjor përditësohet dhe përmirësohet në vazhdimësi.