Milan dhe Juventus do të jenë skuadrat që do të diskutojnë finalen e Kupës së Italisë për këtë sezon që do të luhet në 21 maj, në Olimpiko të Romës. Kjo do të jetë hera e katërt që këto dy skuadra përballen me njëra-tjetrën në finalen e këtij aktiviteti në total dhe e dyta herë që luajnë në një finale të formatit me ndeshje të vetme. Në 3 finalet e mëparshme të Kupës së Italisë, Juventusi është në avantazh, pasi e ka fituar 2 herë kundrejt 1 herë të Milanit.
Në sezonin 1941/42 Juve triumfoi pas sfidës së dyfishtë. Në “San Siro” Milani e Juve barazuan 1-1, ndërsa në Torino bardhezinjtë mundën milanezët 4-1, ku 3 gola u shënuan nga shqiptari i natyralizuar si italian në atë kohë, Riza Lushta. Në vitin 1973 erdhi hakmarrja kuqezi me Milanin që mundi Juven në finalen e Romës pas penalltive, ndërkohë që ndeshja përfundoi 1-1.
Finalja e fundit e Kupës mes këtyre dy skuadrave ishte në sezonin 1989-90, sfidë që u zhvillua me sistemin vajtje-ardhje. Në Torino sfida përfundoi 0-0, ndërsa në “San Siro” Juventusi arriti të dalë fitues falë Galias.Milani dhe Juventusi kanë zhvilluar mes tyre edhe finalen më prestigjioze, atë të Ligës së Kampioneve të vitit 2003, finale e fituar nga kuqezinjtë pas gjuajtjes së 11-metërshave, pasi koha e rregullt dhe ajo shtesë përfundoi 0-0.