Juventusi nuk është ngopur së bleri. Pasditen e djeshme është zyrtarizuar lajmi i marrëveshjes me KuangSong Han. Sulmuesi koreano-verior nuk është një emër i ri në Torino, por pas një viti e gjysmë që ndiqej nga bardhezinjtë, dje ka ardhur edhe akordi total.

21-vjeçari ka lënë Kaljarin për shifrën e 5 milionë eurove dhe do t’i bashkohet menjëherë skuadrës së parë të Juventusit. Gjithsesi, edhe pse Han do të stërvitet nën urdhrat e Mauricio Sarrit, drejtuesit do ta xhirojnë atë që të fitojë më shumë eksperiencë në radhët e Juves U-23 në Serinë C italiane.

Kuang-Song Han ka luajtur 12 ndeshje me Kaljarin në Serinë A, mes sezoneve 2016-2017 dhe 2017-2018, duke shënuar edhe një gol. Ndërkohë, vjet ishte pjesë e Peruxhas në huazim, ku grumbulloi 20 prezenca dhe realizoi 4 gola.