Pjesa e parë e sfidës mes Galatasaray dhe Juventus ka dhuruar emocione dhe spektakël në Stamboll, ku bardhezinjtë shkojnë në pushim me avantazhin 2-1 në ndeshjen e parë të play-off-it.
Takimi u zhbllokua në minutën e 15-të nga vendasit. Pas një rivënieje anësore për Juventusin dhe një topi të humbur në zonë nga Kenan Yildiz, përfitoi braziliani Gabriel Sara, i cili goditi saktë me të majtën dhe kaloi Galatasaray-in në avantazh.
Reagimi i Juventusit ishte i menjëhershëm. Në aksionin e parë pas pësimit të golit, Andrea Cambiaso dërgoi një krosim në zonë për Pierre Kalulu. Goditja me kokë e mbrojtësit u ndal nga portieri Ugurcan Cakir, por Teun Koopmeiners ndoqi aksionin deri në fund dhe shtyu topin në rrjetë për barazimin 1-1.
Në minutën e 32-të erdhi përmbysja bardhezi. Sërish protagonist Koopmeiners, i cili pas një kombinimi të bukur me Weston McKennie gjuajti fuqishëm me të majtën nga brenda zonës, duke realizuar dopietën personale dhe duke i dhënë Juventusit avantazhin 2-1.





