Kristiano Ronaldo nuk ka ndër mend të ndalet e për më tepër, nuk e sheh veten larg Juventusit derisa të vendosë të largohet nga nivelet më të larta të futbollit botëror. Për këtë arsye, ylli portugez, bashkë me klubin po mendon rinovimin e kontratës së tij, për të shtyrë edhe me një vit fundin e saj, duke qëndruar në Torino derisa të mbushë 38-vjeç.

Mediat italiane kanë bërë të ditur se palët janë në parim dakord për të realizuar shtyrjen e kontratës që lidh Ronaldon me Juventusin deri në verën e vitit 2023. Ajo aktuale mbaron në sezonin e ardhshëm, por të dy palët janë të interesuara si në aspektin sportiv, ashtu edhe atë ekonomik, për të gjetur gjuhën e përbashkët për zhvillimin e saj.

Për Ronaldon do të ishte e vështirë që në moshën 37-vjeçare të gjente një klub tjetër në nivelet më të larta dhe me ambiciet e Juventusit. Ndërsa për klubin italian, do të jetë shumë e vështirë të zëvendësojë cilësinë dhe sidomos numrin e golave që garanton portugezi në ekip.

Për këtë arsye, parashikohet që shumë shpejt drejtuesit e Juventusit dhe përfaqësuesit e lojtarit të ulen në tavolinën e bisedimeve dhe të diskutojnë detajet për të zgjatur marrëveshjen mes palëve me një tjetër vit.