Juventus nuk e ul ritmin duke vijuar punën për të krijuar një super ekip që rrotullohet rreth yllit Cristiano Ronaldo. Siç raportojnë mediat italiane objektivi i klubit torinez është i orientuar në tre sulme të rëndësishme, që parashikojnë rikthimin e Paul Pogba, qëndrimin e Paulo Dybala që tashmë komplikohet me me interesimin e klubeve të rëndësishëm në drejtim të tij dhe në fund arritjen e shërbimeve të brazilianit të Los Blancos, Marcelo.

Ashtu siç duket misioni nuk është i lehtë. Duke nisur me francezin Pogba, që pavarësisht dëshirës së tij për t’u larguar nga Djajtë e Kuq parashtron vështirësi për t’u arritur nga bardhezinjtë siç është çmimi i lartë i kartonit por edhe konkurenca me Barcelonën që gjithashtu synon shërbimet e tij. Edhe për argjentinasin Dybala janë të shumtë klubet e interesuar që mund të zgjojnë interesin e vetë lojtarit drejt një largimi, ndaj Zonja e Vjetër ka për detyrë ta joshë sulmuesin 24-vjeçar në mënyrë që të qendrojë.

Siç raportojnë mediat angleze në lojë për të qëndron Manchester United që është gati të paguajë 120 milionë euro. Një faktor më shumë që mund ta shtyjë Dybalan të vendosë për largimin është edhe situata e krijuar që  nga ardhja  e portugezit Ronaldo në organikë, me Dybalan që ka qendruar jashtë në dy ndeshjet e fundit të bardhezinjve në Serinë A. Edhe pse për momentin Dybala reflekton qetësi vendimet e trajnerit Allegri mund të kenë ndikuar për të ardhmen.

Ndër të tjera vlen për t’u përmenduar fakti që për 24-vjeçarin interes kanë shfaqur edhe Real Madrid, Atlético, e Liverpool… Për sa i takon objektivit të tretë të bardhezinjve Marcelo, duhet kujtuar se ishte vetë mbrojtësi ai që e përjashtoi mundësinë e një largimi nga Santiago Bernabeu. Me këtë panoramë Juventus ka ende punë për të krijuar kostelacionin që synon të ndërtojë në shërbim të yllit Cristiano Ronaldo.