Akordi është afër. Sulmuesi është gati të thotë “Po”, ndërsa firmat e Yildiz dhe trajnerit Spalletti janë një asist për serbin. Dusan Vlahoviç është bashkuar me grupin te Juventusi dhe nesër do të jetë në Udine, ku do ta nisë me shumë mundësi nga stoli. Ai u operua në Londër më 4 dhjetor dhe nuk është ndjerë kurrë i braktisur nga Juventusi, prandaj dhe tani është i predispozuar për rinovimin e kontratës që i skadon në qershor. Barcelona dhe Bajerni nga jashtë Italisë, por edhe Milani, e kanë pasur në fokus qendërsulmuesin serb, por duket se interesat e tij kryqëzohen me ato të Juventusit.
Duke qëndruar trajneri Luciano Spalletti, të paktën edhe për një vit, Vlahoviç ka vendin e tij të rëndësishëm në projektin bardhezi. Lëvizjet e para janë bërë, duke prekur edhe aspektin ekonomik. Juventusi është gati të ofrojë një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon, 7 bashkë me bonuset, duke e çuar në të njëjtin nivel me yllin turk Kenan Yildiz. Për kohëzgjatjen e kontratës së re, gjithçka është e hapur, me një ose dy vite. Që klima ka ndryshuar e tregon edhe fakti se babai i lojtarit ka qenë pranë tij. Nuk është vetëm çështje familjare, sepse babai merr gjithmonë pjesë te takimet për të ardhmen e djalit.





