Juventusi duket se “vigjëlon” mbi gjithçka ndodh te Barcelona, sidomos në rastin e lojtarëve që klubi katalanas nuk ua rinovon kontratën. Rasti “Dani Alves”, që nuk u preferua më nga katalanasit, por u lejua të largohej me parametra zero drejt bardhezinjve të Torinos, ku po shkëlqen, i frymëzon kampionët italianë për të bërë tjetër goditje të këtij lloji. Në fokus tashmë është simboli i Barcelonës, ai që ngjall interesin e të gjitha ekipeve të rëndësishme në ligat e mëdha europiane, Andres Iniesta.
E përditshmja italiane, “Corriere della Sera”, thotë se Juventusi, fitues i dyfishtë i këtij sezoni, deri më tani, në Apenine, rivali i Real Madridit në finalen e Champions-it, në Cardiff, është i gatshëm të bëjë një ofertë për shërbimet e Iniesta, i cili është konsideruar si mesfushori më i mirë në botë. Drejtuesit juventinë e dinë mirë se kjo është një mundësi e vakët për t’u realizuar, për shkak se vetë lojtari dëshiron ta përfundojë karrierën e tij me katalanasit, por ama do të përpiqen.
Ata presin mbështetje nga Dani Alves, që mund të jetë përcaktues në këtë operacion merkatoje, pasi marrëdhëniet e brazilianit me Iniesta ishin të shkëlqyera, kur ishin të dy bashkë në Barcelonë. Andres ka marrë, gjithashtu, oferta nga MLS (SHBA), por i ka refuzuar ato gjithmonë. Duhet evidentuar fakti se mesfushori gjendial krijues nuk ka rinovuar me Barcelonën, kontrata me të cilën i përfundon verën e vitit të ardhshëm.
Pikërisht duke përfituar nga ndonjë hezitim i katalanasve në këtë pikë, Juventusi shpreson të godasë si në rastin e Dani Alves, të marrë një yll të futbollit botëror me parametra zero. Lakmia dhe ambicia bardhezi duket e madhe në këtë rast, por a do t’ua japë këtë kënaqësi Iniesta? Vështirë të ndodhë, megjithatë Juventusi e ka një sy dhe një vesh nga kjo pistë…