Italia mbrëmë humbi mundësinë për të prerë biletën për në Botëror pasi u ndal në një barazim 0-0 me Suedinë. Ky verdikt shkaktoi pakënaqësi jo vetëm në popullin italian por kudo në botë që ka tifozë të kombëtares ‘auxurre’, përfshi edhe vendin tonë.
Nëse në bazë të formulës në aspektin e rezultatit Italia mund t’i ketë thënë ‘mirëupafshim’ Botërorit, por për të kalterit ka ende një fije të hollë shprese.
Në nenin 7 të rregullores së FIFA-s flitet pikërisht për një rikualifikim të mundshëm të një prej përfaqësueseve të eliminuara, në rast se një prej 32 përfaqësueseve të kualifikuara tërhiqet, ose përjashtohet nga kompeticioni. Në rast se do të verifikohet njëra nga këto dy situata, atëherë institucioni më i lartë futbollistik në planet mund të vendosë të zëvendësojë skuadrën e tërhequr, ose të përjashtuar, me një tjetër ekip. Dhe Italia, në cilësinë e ekipit më të mirë të klasifikuar në vendin e dytë në fazën e grupeve, mund të jetë zgjedhja, duke shtuar gjithashtu edhe kompetivitetin e turneut, raporton telesport.





