Ferma VIP 3 ka nisur me shumë energji. Fermerët kanë filluar dinamikat e tyre dhe gjithë vëmendja është te ata. Të ftuar në studion e Living Day, miqtë e disa prej fermerëve zbuluan më shumë të pathëna për ta.
Dorina Mema, shoqja e Moza Ahmeti, foli hapur për pjesëmarrjen e poetes në Ferma VIP 3, duke zbuluar arsyet që, sipas saj, e kanë shtyrë të bëhet pjesë e formatit.
Ajo theksoi se vendimi i Ahmetit lidhet kryesisht me vështirësitë ekonomike, duke nënvizuar sinqeritetin e saj brenda fermës. Sipas Memës, vetë Moza e ka pranuar se gjendja e saj financiare është e vështirë dhe se çmimi i madh do të ishte një mbështetje e rëndësishme.
Ajo shtoi se Moza meriton ta fitojë garën për shkak të përgjegjësive që mban, duke theksuar se jeta bëhet më e vështirë sidomos pas moshës 40-vjeçare, kur detyrimet shtohen.
Dorina Mema u shpreh gjithashtu se e ndjek me kënaqësi lojën e Mozës dhe beson se mbështetja që ajo po merr mund ta çojë deri në finale.
“Sa i përket Mozës, unë mendoj se ajo e ka marrë këtë nismë, në radhë të parë, për arsye ekonomike. Ajo është shumë e sinqertë brenda fermës dhe e ka shprehur vetë se ekonomia e saj është “poshtë”, kështu që i duhet ai suport ekonomik.
Unë do të doja shumë që ajo ta fitonte sepse ka detyrime. Jeta ka detyrime dhe askush nuk të pyet se si je, njerëzit thjesht të gjykojnë. Sidomos për brezin tonë, pas moshës 40-vjeçare, përgjegjësitë fillojnë e të rëndojnë si një gur i madh. Unë kënaqem kur e shoh Mozën në fermë dhe besoj se ky suport do ta çojë në finale”, tha Dorina Mema./Vizion Plus





