8 gola në 12 ndeshje në Serie B janë shifra të denja për një “bomber”, shifra që e kanë kthyer Cristian Shpendin në një nga lojtarët më të kërkuar edhe në elitën e futbollit italian, në Serie A. 21-vjeçari kuqezi po kalon një formë të shkëlqyer duke tërhequr një interesim të madh rreth tij. La Repubblica shkruan se për Shpendin po interesohen klube si Lazio, Atalanta, Roma dhe Fiorentina. Në këtë pikë të sezonit, përpara merkatos së dimrit, Fiorentina është ekipi që po lëviz me hapa konkret pasi sipas mediave italiane janë paraqitur në dyert e Cesena-s, skuadër që ka në pronësi kartonin e tij, me një ofertë prej 10 milionë euro.
Kjo është një shifër shumë serioze, e përafërt me atë që pretendojnë drejtuesit e Cesena-s. Përpara ofertave të tilla dhe formës që po kalon Shpendi duket e vështirë që një klub si Cesena ta mbajë për shumë kohë në skuadër, në janar sipas të gjithë gjasave, Shpendi pritet të ndryshojë skuadër.Të gjithë prisnin që Shpendi të ishte pjesë e Kombëtares A në këtë grumbullim të fundit në Ligën e Kombeve, pasi Sylvinho ishte në emergjencë në fazën ofensive, por tekniku kuqezi u mjaftuan duke sqaruar se po e monitorojnë nga pranë formën e tij.