Një grup të rinjsh kanë protestuar pasditen e sotme në Durrës para godinës së prokurorisë së rrethit për vrasjen nga një polic të 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Protestuesit janë organizuar në rrjete sociale dhe gjatë fjalës së tyre kanë apeluar që të bëhet drejtësi për këtë ngjarje, por edhe për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit, pasi deri më tani nuk ka asnjë fajtor.

Me thirrjet “Unë jam Klodiani”, ata kërkuan dorëheqjen e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

“Natën e 7 dhjetorit humbi jetën Klodiani, por mund të isha unë, mund të kishte humbur jetën secili prej nesh Nuk e di sesa vlen jeta në Shqipëri, por kjo është një pyetje që duhet t’i japë zgjidhje gjithkush që jeton në vendin tonë. A vlen jeta e shqiptarit sa një gjobë për të mbrojt jetën nga koronavirusi. Më vjen keq që nuk zbatohet Kushtetuta, rregullat, protokollet policore. Janë shtënë vetëm dy plumba dhe të dy plumbat kanë kapur Klodianin. Ku ishte këtu paralajmërimi përpara se t’i gjuanin?  Sot jemi në një moment që duhet të reagojmë të gjithë nuk ka kohë që të heshtim, sepse pot ë heshtim bëhemi bashkëpunëtorë me krimin. Kërkojmë drejtësi për Klodianin, hetime të rregullta nga prokuroria dhe njëkohësisht kërkojmë dorëheqjen e ministrit Lleshaj dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu”,- tha studenti i UAMD-së, Shyqyri Myrtollari.

“Ka marrë fund koha kur nuk ka më drejtësi në këtë vend, ka ardhur koha që të vendoset drejtësia”,- tha kreu i FRPD Durrës, Artion Bajramaj.

Protesta në Durrës u zhvillua pothuajse në të njëjtën kohë me protestën  e mbajtur në Tiranë, ku qindra qytetarë marshuan para Ministrisë së Brendshme për të vijuar më pas të Kryeministria, duke kërkuar drejtësi për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i policisë.