Sezoni turistik në Durrës parashikohet të jetë shumë i mbarë. Sipas operatorëve turistikë, qyteti bregdetar pritet të ketë këtë verë një kërkesë më të lartë sesa kapaciteti i shtretërve në dispozicion.

“Ka më shumë kërkesë sesa vende disponon qyteti i Durrësit. Turistët e parë që kanë ardhur në mënyrë të organizuar janë ata gjermanë, që në fund të marsit. Kompanitë gjermane kanë nisur ta përfshijnë Shqipërinë në listën e destinacioneve. Ndërkohë që nga 13 prilli kemi turistët nordikë që vijnë në mënyrë të organizuar”,– thotë Blerim Norja, menaxher i njërit prej hoteleve më të njohura në qytetin bregdetar.

Megjithëse moti këto ditë nuk ka premtuar shumë, për shkak të paqendrueshmërisë së kushteve atmosferike, kjo fund pranvere është shumë e përshtatshme për turistët nga Norvegjia, Polonia, Republika Çeke etj.

“Shërbimet janë shumë mirë dhe çmimet janë të lira. Jemi të lumtur që kemi ardhur pavarësisht se nuk është verë. Në ndryshim nga Republika Çeke, këtu është shumë më ngrohtë. Na pëlqen shumë ushqimi juaj.”

“Plazhi është pastruar dhe është bërë gati për sezonin. Do të qëndrojmë një ditë në Durrës dhe 2 ditë në Tiranë. Jemi shumë të kënaqur, do të vijmë sërish”.

“Jemi të lumtur, koha është shumë e mirë. Përveç Durrësit, ku do të qëndrojmë dy ditë, do të shkojmë edhe në jug, në Ksamil. Njerëzit dhe ushqimet na pëlqejnë shumë”.

“Qyteti juaj është shumë i bukur. Çmimet janë shumë të mira, është shumë më lirë sesa në Poloni. Na pëlqen sepse ka shumë vende për argëtimin e fëmijëve, të cilët këtu ndihen të sigurt.”.- thonë turistë të huaj për mikrofonin e “DurrësLajm”.  

Shtetasit nga Kosova vijojnë të mbeten pushuesit besnikë të bregdetit të Durrësit. 4 motra nga Istogu po shijojnë disa ditë pushimi dhe shprehen mjaft të kënaqura nga ajo çfarë kanë gjetur në qytetin 3000-vjeçar.

Që nga viti i kaluar, zgjatja e sezonit turistik ka dhënë një impakt mjaft pozitiv tek strukturat hoteliere. Fuqia punëtore e kualifikuar mbetet një nga shqetësimet kryesore të operatorëve turistikë. Ky ngërç pritet të marrë zgjidhje nga kohështrirja e sezonit.

“Nga momenti që sezoni do të shtrihet më shumë, puna në turizëm do të kthehet në punë stabël. Kjo mungesë ka ndodhur për shkak se turizmi është konsideruar gjithnjë si punë sezonale dhe nuk preferohej nga punëkërkuesit sepse ata janë në kërkim të një pune stabël.”,– thotë Norja.

Për shkak të ditës së pushimit zyrtar, plazhi i Durrësit sot ishte destinacion për të kaluar orë relaksi jo vetëm për turistët e huaj, por edhe pushues të ndryshëm nga qytetet shqiptare.  

M.B.