Avokati i ish-zyrtares së lartë, Alda Klosi, Ilirjan Muho, në një deklaratë për mediat në përfundim të seancës së sotme në Apel, i pyetur nga gazetarët ka treguar se si është gjendja shëndetësore e ish-zyrtares Alda Klosi.
Ai tha se Klosi ka nevojë për kujdes shëndetësor dhe se sipas kartelës klinike ka tendenca për një hipertoni që mund të sjellë pasoja për shëndetin e saj.
“Pas ndalimit, Alda Klosi kaloi një periudhë jo të mirë shëndetësore. U shtrua dhe u kurua në spital në QSUT. Doli nga spitali në gjendje disi të përmirësuar, por sipas kartelës klinike të lëshuar nga mjekët, duhet të jetë në vëzhgimin e mjekëve, pasi ka tendenca për një hipertoni që mund të sjellë pasoja për shëndetin e saj.”, tha ai.