MENTOR KIKIA
Ndodhi krimi i radhës!
Dy të rinj u vranë në Durrës. Mu në mes të qytetit. Një krim që i ngjante një akti terrorist, mes qindra njerëzve, në zonën më të populluar të qytetit. Megjithatë vrasësit bënë kujdes të mos kishte viktima “anësore”. Policia nuk e kishte të vështirë të mësonte, të paktën, motivet e krimit. Njëri prtej tyre kishte patur boll telashe. Gazetarët në Durrës, e dinin CV-në e 33 vjecarit Ervin Kodra. Policia po e po. Kishte plagosur një persona më parë me armë. Pastaj në nëntor të vitit 2008 është arrestuar nga policia për përkrahje të autorit të vrasjes së shtetasit Saimir Balla. Tre vetë, pasi e kishin rrahur me ctë mundin viktimën, I futën një plumb në kokë dhe e lanë në rrugë.
Nuk ka asnjë raport për dënimin e tij. Ia ka hedhur paq drejtësisë, “për mungesë provash”. Sherret e tij sipas policisë bëheshin për pazare droge.
Në fakt policia ua di motivet shumicës së krimeve, sapo ato ndodhin. “Çunat” lajnë hesapet mes tyre, vrasje pas vrasjeje, pazare droge, trafiqe të tjera, makina të grabitura etj etj. Por përse nuk dënohen këta njerëz? Paguajnë, do të thoni! E di. Paguajnë që tek ai që kqyr vendin e ngjarjes, që ti ndryshojë vendodhjen gëzhojave, në mënyrë që prokurori, që gjithashtu paguhet, ta ketë më të lehtë të mos e gjejë provën, dhe më pas edhe gjykatësi, që gjithashtu paguhet, të japë lirisht vendimin e pafajsisë. Pastaj vijnë krimet e tjera dhe skenari përsëritet. Por në fund vjen drejtësia e vërtetë. Drejtësia e Kallashnikovit. Ajo nuk ka nevojë për ekspertë kriminalistike, as për prokuror, as për gjykatës. Ajo vepron shpejt e shpejt, është edhe hetues, edhe gjykatës edhe përmbarues. Dhe padyshim që është drejtësia më e pakorruptuar. Askush nuk e paguan dot drejtësinë e Kallashnikovit.
Dy ditë më parë u gjet në një kanal me një plumb në kokë edhe “ I forti i Mirasit” në Korcë. Edhe atë e dinte policia pse e kanë vrarë. Kishte një barrë me krime edhe ai. Por sërish ia kishte hedhur drejtësisë së shtetit. Por Drejtësisë së Kallashnikovit nuk i shpëtoi.
Drejtësisë së shtetit nuk i shpëtojnë hallexhinjtë. Atyre shteti u kërcet dhëmbët.