Jeni me nxitim dhe kapni një pirg rrobash me ngjyra afërsisht të njëjta, i fusni në lavatriçe, hidhni detergjentin, programoni larjen dhe dilni nga shtëpia me mendje të fjetur.

Mirëpo, në kthim mund të përballeni me një nga makthet e larjes në lavatriçe, që është tkurrja e veshjeve ose siç njihen gjerësisht: të hyra në ujë. Por, përpara se të vini kujën për atë trikon që sapo kishit blerë, po ju themi se ka një zgjidhje edhe për këtë.

Sipas “Good to Know”, mjafton t’i lini ato në ujë të ngrohtë me shampo bebesh dhe veshjet tuaja do të rikthehen në përmasat origjinale. Një gjë e tillë ndihmon në shtendosjen e fibrave. Në një legen me ujë të ngrohtë, shtoni 1/3 e një gote me shampo dhe lëreni veshjen për 30 minuta.

Nxirreni më pas me kujdes pa e shpëlarë në mënyrë që shampoja të vijojë të veprojë dhe me duar, mundohurni t’i jepni formën e mëparshme. Gradualisht, mbështilleni në formë roleje me një peshqir dhe lëreni për 10-15 minuta. Hapi i fundit është nxjerrja nga peshqiri dhe vendosja mbi një tjetër peshqir të thatë duke i dhënë gradualisht formë dhe duke vendosur objekte të rënda në skaje që të qëndrojë ashtu.