Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë intervistës për “Kjo Javë” në News 24, iu përgjigj edhe pyetjeve se si e ka kaluar kohën gjatë karantinës, marrëdhënien që ka pasur me bashkëshorten Kryemadhi dhe nëse ka pasur frikë nga përhapja e COVID-19.
Pyetje: Si e ndan Presidenti kohën mes shtëpisë dhe zyrës, nesër është fundjavë, është e diel, çfarë do të bëni zoti Meta?
Presidenti Meta: Nuk jam i sigurt se çfarë do të bëj, por pak a shumë koha ime ndahet mes zyrës, shtëpisë, midis punës, leximit edhe pak sport brenda mundësive që krijon kjo situatë.
Pyetje: Në një intervistë të fundit që kam patur më zonjën tuaj, me zonjën Kryemadhi është shprehur se të gjitha ngarkesat për gjatë kësaj kohe në shtëpi kanë qenë të sajat, gatimi dhe punët. Si ndiheni në kushtet e shtëpisë zoti Meta, duke qenë se karantina sjellë pse jo, edhe debate në çift?
Presidenti Meta: Nuk kemi patur fare debate, ka qenë e shkëlqyer gjatë kësaj periudhe, është sjellë në mënyrën më shembullore, më familjare, më pozitive. Në këtë drejtim gjatë kësaj periudhe nuk kam patur asnjë ankesë për të, ndoshta kjo është edhe një nga të mirat që ne kemi fituar nga karantinimi.
Pyetje: A është zonja Kryemadhi në listën e këtyre kritikëve për marrëdhënien në këtë kohë më kryeministrin Rama, me qeverinë, për të cilën ne e ezauruam gjatë intervistës?
Presidenti Meta: Ajo si natyrë është gjithmonë kritike në tërësi, por ka qenë më shumë e përqendruar në çështje të tjera dhe nuk kemi hyrë shumë në debate të tilla. Megjithatë, dua të vlerësoj edhe njëherë tjetër, që në përmbushjen e detyrave të mia, unë nuk mund të ndikohem nga kritikat që bëhen, apo që mund të bëhen.





