Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi këtë të mërkurë se Ministrja e Jashtme do të humbasë së shpejti mandatin e deputetit, për shkak se ka shpallur bashkëshortin e saj partner strategjik në kundërshtiim me Kushtetutën.
Gjatë një interviste të dhënë për A2CNN, Berisha i bëri thirrje Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken se gjatë takimit të mbajtur sot në Washington me delegacionin shqiptar të kryesuar nga Ministrja e Jashtme, kishte dosje dhe afera korruptive.
“Më lejo pak të them disa gjëra të rëndësishme. Sot në Washington ishte një delegacion i gjerë me në krye Olta Xhaçkën dhe në një pjesë të diskutimeve mori pjesë vetë Antony Blinken.
I them zotit Eskobar dhe zotit Blinken se së bashku në atë tavolinë kanë qenë dosje dhe afera korruptive, ashtu siç kanë qenë gjatë vizitës së Saimir Tahirit në Shtëpinë e Bardhë.
Olta Xhaçka shumë shpejt do të humbasë mandatin dhe do të përballet me drejtësinë pasi ka marrë në emër të burrit statusin e partnerit strategjik në kundërshtim me Kushtetutën. Aq sa ishin të vetëdijshëm për Saimir Tahirin në Shtëpinë e Bardhë”, tha Berisha.
Ish-kryeministri komentoi gjithashtu deklaratat e fundit të të Dërguarit të Posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, i cili tha se shpallja non grata e ish-kryeministrit është bërë në sajë të të dhënave të grumbulluara për korrupsion.
Berisha në përgjigjen e tij tha se çdo përpjekje për të akuzuar atë për korrupsion pas 9-viteve në pushtet është një përpjekje për të fshehur korrupsionin galopant të qeverisë Rama.
“Ne nuk mund të injorojmë skandale të mëdha siç janë këto. Me asgjë nuk mund të mbyllet dosja e inceneratorëve dhe dosja e Butrintit. Janë dosje që shkojnë miliarda dhe të flasësh pa asnjë fakt për korrupsion të Sali Berishës, nuk bën gjë tjetër vetëm të përpiçesh të mbulosh korrpusionin e këtij grupi më kleptokrat në historinë e Shqipërisë”, tha Berisha.