Ndodh edhe kështu, që etapa e një turneu ndërkombëtar çiklizmi të mos zhvillohet fare, për shkak të trafikut të madh të makinave në rrugë.
Bëhet fjalë për Turin e Filipineve, që duhej të niste sot me etapën e parë, por që është shtyrë për nesër. Shkak është bërë trafiku i dendur në rrugët e këtij vendi, duke bërë që etapa e parë (Antipolo-Lucena) të mos zhvillohej. Në momentin që do të niste gara (75 çiklistë në start), organizatorët dhe policia rrugore e kishin të pamundur të “çanin” trafikun e madh ndaj dhe çiklistët mbërritën në finish jo mbi biçikletë, por në makinat e skuadrave të tyre. Një start i shëmtuar i Turit të Filipineve (edicioni i 7-të i tij), ndërkohë që nesër do të zhvillohet etapa e dytë, që do të nisë nga Lucena.