Nga Gjergj Thanasi
Durrës, 22 gusht 2014 – Rreth 21 vjet pas vizitës së parë të një pape në tokat shqiptare, këtë shtator Shqipërinë do ta vizitojë përsëri një tjetër papë. Në artikullin tonë ne do të trajtojmë përmbledhtazi problemet e sigurisë, që do të jenë prezente gjatë vizitës zyrtare të një personaliteti me profil aq të lartë sa Papa i Romës.
Duke pasur parasysh shijet e holla estetike të Kryeministrit Rama unë jam i sigurtë që sheshi “Nënë Tereza” te Korpusi i Universitetit do të jetë i mrekullueshëm. Nuk dyshoj, që kombinimi i flamurëve të verdhë të Vatikanit me ato kuq e zinj shqiptarë, si edhe ndërthurja e banderolave, billbordeve, posterave e lajleluleve do të jetë shumë herë më e përkryer sesa gjatë pritjes së Atit të Shenjtë Gjon Palit të dytë në vitin e largët 1993, kur Shqipëria sapo ishte shkëputur nga periudha e errët e terrorit komunist.
Me siguri fjalimet e mirëseardhjes të kryeministirt Rama do jenë në nivelin e një proze poetike të arrirë etj. etj. Për të tilla gjëra nuk gjen një të dytë në Shqipëri si z. Rama për shkak të formimit të tij artistik, këndimit të librave që fëmijë dhe eksperiencës në lidhje me punimet komunale gjatë mandateve si Kryebashkiak i Tiranës.
Problem gjithsesi do të jetë siguria (security) e Atit të Shenjtë gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Sot Shqipëria nga çdo pikëpamje është vite larg nga Shqipëria e vitit 1993, e mjeruar e sapo shkëputur nga komunizmi. Fatkeqësisht një numër faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm e kanë përkeqësuar thelbesisht situatën e sigurisë së domosdoshme për një vizitë të një profili kaq të lartë madje edhe të krahasuar me vitin 1993.
Në vitin 1993, komunistët ateistë, revanshistë të sapo rënë nga fiku, nuk e kishin mendjen t’i përgatitnin ndonjë surprizë Gjon Palit të Dytë, sepse ato ende i frikësoheshin një hakmarrje për bëmat e gjëmat e 40 e kusur vjetëve, apo ia kishin mbathur në emigracion,ose po merreshin me matrapazllëqe tranzicioni e kështu me rradhë.
UDB-SDB-ja serbe nuk ia kishte ngenë sabotimit të vizitës së Shenjtërisë së tij Gjon Palit të Dytë, sepse ishte e zënë deri në fyt me luftërat në Jugosllavi dhe ngandonjëherë nuk arrinte të mbronte as arkivat e veta nga udbashët kroatë, sllovenë apo myslymanë, që ja mbathnin drejt atdheve të tyre të rinj. Rusia e Jelcinit e kishte hallin si t’u mbushte barkun rusëve të uritur me krahët e pulave, ndihmat humanitare të Klintonit apo me patate e gjalpë pjesë e haraçit, që paguante Helmut Koli për zbythjen e Ushtrisë së Kuqe nga tokat e ish Gjermanisë Lindore.
Për më tepër në Ambasadën Amerikane në Tiranë kishte profesionistë të nivelit të lartë si Francis Dawlong-u, që impononte respekt dhe rrezatonte siguri. Në Ambasadën italiane ishin xhentëllmenë dhe ustallarë të aftë si z. Di Loranzo (con i baffi), që vigjëlonte si fajkoi dhe kontrollonin çdo detaj të vizitës papnore. Çdo deficensë e policisë së Koplikut apo e 007-tave të Gazidedes mbulohej si nga kujdesi atëror i miqve, partnerëve, aleatëve të rinj perëndimor ashtu edhe nga pafuqia ulëritëse e rusëve e serbo-sllavëve dhe aleatëve të tyre komunisto-ateistë shqiptarë.
Sot gjërat janë krejt ndryshe. Niveli i sigurisë që ofron Kryeministri Rama dhe ekipi i tij mund të karakterizohet fare mirë me shprehjen: bir Selman i nënës kë të qaj më parë. Nuk është faj i Kryeministrit që nuk merr vesh fare nga problemet e sigurisë, por është faji i tij për këshilltarët, që ka zgjedhur. Njëri është me diplomë “Kristali”, tjetri është spiun e hyzmeqar i serbëve në tre breza (gjyshi i Jugosllavisë mbretërore, baba udbash, spiun e ish kryeudbash i Kosovës, vetë i rekrutuar, që student në Beograd në kohën e Bakaricit). Një i tretë ka firmosur të paktën dy herë shkresa për të privilegjuar pinjollët e nënëtokës serbosllave 9 rasti i bazës ushtarako-detare të Bishtit të Pallës). Një tjetër zonjë ka të vetmen meritë, që është dashnore e vëllait të Majlindës, atij stari podgoricanit, që 12 vjet më parë shiste celularë të ardhur kontrabandë nga Mali i Zi.
Në ministrinë e Brendshme ministri Tahiri sot merr vesh nga problemet e sigurisë po aq sa atëherë, kur Ed Manushi e mori për dore dhe e çoi te cadra e Ramës te Parku i Liqenit, ku Tahiri shpalosi projektin e Fondacionit “Qemal Stafa”. Këshilltarët e tij janë nja dy artifakte arkelogjike, që niveli i njohurive të tyre profesionale shkon deri te hajdutët e xhepave, të biçikletave, vrasësit me patickë italiane fshehur për 40 vjet në hatulla, apo ushtruesit e profesioneve të ndaluara, si psh terzinjtë, që ilegalisht qepnin pantallona kauboj në shtëpi.
Kryepolici Artan Didi për shkak të formimit bazë në Ucilishten e Bashkuar Ushtarake “Enver Hoxha”, ndonëse 16 vjet më parë ishte i devotshëm dhe trim deri në vetmohim, sot nuk arrin të realizojë ndryshimin thelbësor të kushteve, në të cilat zhvillohet dhe hedh shtat xhihadi shiptar brenda kufijve të Shqipërisë londineze. Në kohën, kur Didi shkëmbente zjarr me terroristët islamikë, këta të fundit ishin produkte importi pa rrënjë në Shqipëri. Maksimalja e mbështetjes, që gëzonin, ishte ndonjë ish kapterr tarallak i të ndjerit Gazidede apo hyrja kollovar në familjen e ndonjë zyrtari të dorës së tretë të ish-presidentit Berisha.
“Fidanët” e Institutit Al Hagri ende nuk ishin hedhur rrënjë në tokën shqiptare. Sot ka ndryshuar pazari rrënjësisht, gjë që kryepolici Didi as që arrin ta perceptojë. Sot filizat e Al Hagrit dhe jo vetëm janë shndërruar në rrepër madhështorë, që i kanë shtrirë thellë rrënjët në tokën shqiptare. Terroristët shqiptarë të Shqipërisë londineze nuk janë thjesht ca të rinj skalapeca e mjekërr gjatë të indoktrinuar e kaq. Jo terroristët islamikë shqiptarë janë nga 15 në 70 vjeç (videoja e atij xhajes mjekërrcjap në Siri, që me AK 47 në dorë bënte thirrje për xhihad ).
Një pjesë e tyre kanë marrë mësime bazë teorike për përdorim armësh, eksplozivësh, përfshirë ndërtimin e kurtheve eksplozive. Shumica e tyre kanë fituar përvojë në fushë të betejës përgjithsisht më shumë e më mirë, sesa ish komandosat apo efektivët berreta kuq të BOS-it, që me muaj të tërë punonin “roje bostani” te aeroporti i Mosulit apo afër Heratit në Afganistan. Vetëm një grusht forcash speciale shqiptare me eksperincë nga Spin Boldaku kanë aftësi të njëjta ndoshta superiore ndaj xhihadistëve me origjinë nga Shqipëria e Edi Ramës.
Tashmë xhihadistët shqiptarë kanë armë, trajnim ushtarak, eksperiencë të gjerë luftarake. Ata kanë fonde të mjaftueshme madje deri diku janë dhe të vetë financueshëm si nëpërmjet dyqaneve të mishit hallall (jo të gjitha kuptohet) edhe nëpërmjet picerive hallall, dyqaneve të celularëve, bizneseve të tjera si fjala vjen shtypshkronjave, madje edhe OJF-ve bamirëse ose jo si edhe natyrisht mbështetjes bankare. Në këtë kontekst mund të deklarojmë pa kurrfarë ndruajtjeje se vetëm një neandertalas si ish-guvernatori Fullani nuk arrin të bëjë lidhjen midis parave, që vijnë nga Zvicra për prodhime librash dhe financimit të xhihadistëve shqiptarë. Disa nga këto biznese kanë vlera polivalente d.m.th. jo thjesht si burime keshi, por edhe si rrjet i sigurtë për transport armësh, municionesh, eksplozivësh, literaturë ekstremiste etj. Këtu mund të përmendim rrjetin e picave taksi hallall, normalisht jo çdo motoçiklist i tillë është detyrimisht një xhihadist. Rrjeti i dyqaneve celularë shërben jo vetëm si gjenerues keshi, por edhe për mbledhje informacioni nga SMS-të, MMS-të, videot, fotot, pasuordet për e-mail, numrat e telefonit të ngelura në memorien e celularëve, kur ato çohen për riparim në të tillë dyqane.
Kjo gjendje goxha e rënduar, përkeqësohet më tej për shkak të zhvillimeve më të fundit të të ashtuquajturit Kalifat Islamik në Siri, Irak dhe në kufirin jordanez. Nëse në këtë ekuacion të së keqes do llogarisim edhe xhihadistët shqiptarë në tokat e banuara nga shqiptarët denbababden në Ballkan, atëhere gjendja bëhet me të vërtetë alarmuese. Veprimet servile-dallkauke-majmunore të Qeverisë Rama thjesht i hedhin benzinë zjarrit. Nëse Majko-Mediu-Imami-Berisha u falnin armë e municione Irakut dhe Afganistanit për të siguruar licencën amerikane për lloj-lloj trafiqesh dhe batakçillëqesh me trashëgiminë enveriane në depot ushtarake shqiptare dhe jo vetëm (raketat tip MANPAD Iglla, mortajat izraelite Soltam 120 mm, avionët iranianë pa pilot Ababil dhe Mohajer etj.etj.), Rama i kopjon me shpresë se amerikanët do harrojnë palaçollëkun me armët kimike siriane vjeshtën e shkuar, apo flirtimet me naftën iraniane (sekserllëku i Harasan- amerikanit), flirtimet me fonde të majme me burim shilovikët rusë etj.etj.
I kopjon Kryeministër mavria jo mavia se realisht shpreson se amerikanët do ta mbrojnë nga Ilir Meta dhe do ta lejojnë të sundojë Shqipërinë si t’i vijë për mbarë. Fatkeqësisht kondidat reale kanë ndryshuar në disfavor të kryeministirt aktual. Nxitimi aventuresk për tja kaluar Italisë, Francës dhe Gjermanisë në dërgimin e armëve për Peshmergat kurde ka luajtur rolin e bezes së kuqe përballë “demit” xhihadist shqiptar. Fatkeqësisht ky dem siç e përshkruam më sipër ka një palë brirë të gjata, të fuqishme e të mprehta. Me papërgjeshmërinë, që e karakterizon administratën Rama në lëmin e sigurisë kombëtare, ka shumë të ngjarë, që “efektivitetin e brirëve” xhihadiste ta konstatojmë gjatë vizitës së shtatorit të Papa Françeskut në Shqipëri.
(vijon)
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





