Spitali më i madh i Gazës është “pothuajse një varrezë”, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë, pasi njerëzit e bllokuar brenda përgatiten të varrosin trupat.
Christian Lindmeier tha se 600 njerëz mbetën në spitalin al Shifa, me të tjerët të strehuar në korridore.
“Përreth spitalit ka trupa të pajetë për të cilët nuk mund të kujdeset apo as të varrosen apo të çohen në ndonjë lloj morgu. Spitali nuk po punon më siç duhet. Është thuajse një varrezë.”
Komentet e tij vijnë pasi njerëzit brenda kompleksit planifikojnë të fillojnë varrosjen e trupave pa miratimin e Izraelit, kanë thënë dy burime në spital.
Një zëdhënës i ministrisë së shëndetësisë të udhëhequr nga Hamas tha se më shumë se 100 trupa ishin grumbulluar në al Shifa, duke krijuar një krizë sanitare.
“Ne po planifikojmë t’i varrosim ata sot në një varr masiv brenda kompleksit mjekësor al Shifa,” tha Ashraf al Qidra.
“Do të jetë shumë e rrezikshme pasi ne nuk kemi asnjë mbulesë apo mbrojtje nga KNKK (Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq), por nuk kemi mundësi të tjera, kufomat e dëshmorëve filluan të dekompozohen.”
Spitali, i rrethuar nga forcat izraelite dhe afër vendit ku janë zhvilluar luftime intensive, ka pushuar së funksionuari normalisht, me energji elektrike, ujë dhe elementë të tjerë të pamjaftueshëm.
Izraeli thotë se al Shifa po përdoret si bazë nga luftëtarët e Hamasit, por grupi e mohon këtë.