Aktori i madh, i apasionuar që në fëmijëri pas detit e notit kërkon ngritjen urgjente të një pishine për të vazhduar traditën e bukur të këtij sporti
Aktori i madh i skenës shqiptare, por dhe një nga njerëzit e apasionuar pas sportit të notit, Mirush Kabashi, do të komentonte për gazetën “Dyrrah” situatën aktuale të këtij sporti në Shqipëri, mungesën e pishinave të parametrave moderne dhe rëndësinë që ka vazhdimi i traditës së sportit të notit në Durrës. Ai do ta konsideronte tepër të vonuar dhe të pajustifikueshëm faktin që akoma në qytetin bregdetar të Durrësit nuk ka një pishinë të parametrave moderne…
Z Kabashi, çfarë vendi zë sporti i notit në jetën tuaj?
Sigurisht që ka një vend të rëndësishëm. Është një sport që të jep gjithçka të mirë si nga ana mentale ashtu dhe ajo fizike. Është një sport që të forcon si njeri dhe të bën më të mirë. Noti më jep qetësi dhe paqe pas orëve të gjata me prova, të cilat ndoshta nuk do t’i përballoja pa notin. Do thosha që e kam vërtet një mik të mirë. Jam shumë i dhënë pas tij. Qoftë në verë apo në dimër, gjithnjë e gjej kohën dhe mundësinë për të notuar. Aty unë shkarkoj gjithë lodhjen dhe energjinë negative që mund të më jetë mbledhur nga puna apo stresi. Noti për mua është antistres, është një “terapi” më vete. Lidhja ime me notin është shumë shpirtërore. Eshtë një dashuri e imja e hershme me detin, të cilën nuk e kam tradhtuar asnjëherë. Atje gjej jo vetëm paqe, por shpesh më bën të nxjerr edhe nostalgjinë time që më buron nga fëmijëria. Shkoj shpesh edhe për të mbajtur kontaktet me kujtimet e shkuara.
Para disa kohësh ju bëtë një maratonë të veçantë noti në Durrës. A i ndjeni akoma emocionet e asaj gare?
Sigurisht që më ka falur emocione të veçanta, sepse ajo garë kishte një qëllim fisnik. Ishte një shenjë respekti, mirënjohjeje e falënderimi për qytetin e Durrësit, plazhin dhe detin që na ka rritur. Ishte një shenjë respekti e homazhi për sportistët e detit, për kolegun tim Spiro Urumi, për Arben Jorgonin, me të cilin notova nga Sazani në Vlorë në vitin 1986, por edhe për sportistët e mëdhenj durrsakë, Raq Manushi e Napolon Llalla dhe shumë emra të tjerë të nderuar , të cilët i kujtojmë me respekt dhe nostalgji. Ajo garë ishte dhe një mesazh se si duhet që ta vazhdojmë traditën e këtij sporti të mrekullueshëm, se si duhet që dashurinë për notin t´ua përcjellim dhe brezave të rinj.
A mendoni se të rinjtë durrsakë i kanë kushtet për të ushtruar sportin e notit?
Mendoj se sporti i notit si në të gjithë botën ushtrohet jo vetëm në verë por dhe në dimër. Është e pafalshme që akoma në këtë qytet nuk ka një pishinë moderne ku të stërviten ekipet e notit, apo ku mund të notojnë të rinjtë e apasionuar pas këtij sporti. Është e paimagjinueshme që në një qytet me tradita noti si Durrësi dhe me pasionin që kanë të rinjtë për notin, të mos ndërtohet prej vitesh një pishinë moderne. Me sa më kujtohet kandidatët në fushatën elektorale prezantuan projekte ultramoderne për pishina në Durrës, por nuk di se çfarë po bëhet aktualisht. E përsëris që jemi shumë të vonuar në këtë drejtim dhe çdo vonesë është e pajustifikueshme.