17 shtator 2013- Ditën e parë të punës, kryeministri i ri mungoi në selinë qeveritare, por për gjithçka u kujdes Sekretari i ri i Përgjithshëm, Ëngjëll Agaçi. Gjatë gjithë ditës së djeshme, në mungesë të shefit, i cili ndodhej në Bruksel, Agaçi zhvilloi takime në çdo zyrë me stafin e mbetur të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ndërsa pasditen e djeshme, kryeministri Edi Rama, e prezantoi sekretarin e ri të përgjithshëm të Kryeministrisë në rrjetin “Facebook”. Rama shkruan se “Duke falënderuar për mirësjelljen dhe korrektesën në dorëzimin e detyrës paraardhësin e vet, kam bindjen se falë Ëngjëll Agaçit, puna me draftet e reformave e të ligjeve do të njohë një cilësi të re dhe fryma e skuadrës vetëm do të fuqizohet, falë kulturës së tij të jashtëzakonshme profesionale e qytetare”, – është shprehur Rama. 

MINISTRIA E BRENDSHME 
Ministri të qeta në dukje të parë, por të përfshira në një vorbull ndryshimesh, jo vetëm në emrat e drejtuesve, por edhe në mënyrën se si do të drejtohen. Pothuajse asnjë emër nga stafet e vjetra të ministrave të PD-së nuk ka pasur dje nëpër zyrat e shumë prej ministrive, ku kanë shkelur për herë të parë të gjithë ministrat e rinj të PS-së dhe LSI-së. “Këmbë njeriu” nuk e ka pritur ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, që e filloi detyrën më herët se kolegët e tjerë, qysh të dielën në darkë, pas dekretimit. Ndërsa dje, qysh herët në mëngjes u prezantua me pjesën tjetër të ministrisë. Bashkim Shehu do të jetë Shefi i Kabinetit i ministrit Tahiri, ndërsa Këshilltari për median, Florion Serjani nisi dje, detyrën zyrtarisht. 

MINISTRIA E MBROJTJES 
Pak metra më tutje, duke iu afruar edhe selisë së PS-së, ministrja e re Mimi Kodheli gjithashtu nuk e ka marrë detyrën nga paraardhësi i saj. Por dje, në Ministrinë e Mbrojtjes u organizua një ceremoni e veçantë me rastin e marrjes së detyrës nga ana e saj. Në këtë ceremoni mori pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, komandantët e Forcave, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA. Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, u prit me Truproje Nderi dhe Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi. Kodheli, sipas zërave do të rrijë pak në këtë ministri, pasi ajo do të zhvendoset në mjediset e Shkollës së Bashkuar. Në vend të saj, aty do të vendosen Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave, e cila do të shkëputet nga godina e Kryeministrisë. 

MINISTRIA E ENERGJISË DHE INDUSTRISË 
E sa kalon edhe pak rrugë, një tjetër godinë shfaqet, ajo e dy ministrive të reja: Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, që do të drejtohet nga Arben Ahmetaj, dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, që do të ketë tashmë ministër Damian Gjiknurin. Roja tek dera na thotë se ministri i ri ka ardhur herët dhe nuk ka dalë deri diku rreth orës 14:00. Gjiknuri ka zgjedhur Sekretar të Përgjithshëm, ekspertin ligjor Koli Bele, ndërsa në pozicionin e Këshilltarit për median, gazetarin Dardan Malaj. Edhe këtu puna ka nisur me takimet me stafin e ngushtë, ndërkohë në orët e pasdites Gjiknuri ka thirrur drejtues të KESH, CEZ dhe OST, të cilëve u ka dhënë porositë e rastit. Në ministrinë ngjitur, qetësi gjithashtu, madje me shumë mungesa në staf ende. Është ajo e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Një furgon ka ndaluar tek hyrja. Na thonë se sapo kishte sjellë letër, bazë materiale e kancelarira për zyrat. Ndërsa lart, Ori Kuçi, Këshilltarja për median na shpjegoi se ende nuk mund të flasin për mediat. Madje ajo na citon miratimin e Kodit të Etikës, dhe një modeli të ri të komunikimit me median, që do të aplikohen këtej e tutje. “Ministrat do të flasin atëherë kur kanë diçka për të thënë”, – thotë Kuçi. 

MINISTRIA E MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË 
Ecim më tej dhe pak poshtë tregut të njohur çam, ministria me emrin e ri, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ka një emër të ri në drejtim, Erion Veliajn. Ashtu si Tahiri, edhe ai ka nisur pa humbur asnjë minutë kohë. Por në fillim, ndryshe nga kolegët e tij, ai ka pasur një shkëmbim zyrtar detyre me paraardhësin. Ish-ministri i Punës, Spiro Ksera ishte i vetmi anëtar i Kabinetit “Berisha” që e priti me ceremoni pasardhësin. Gjithçka ndodhi rreth orës 10:00 në një ceremoni të organizuar në zyrën e ministrit, ku në krah të secilit prej tyre qëndronin shefat përkatës të kabinetit: Kleves Bitro për ish-ministrin Ksera dhe Alfred Nurja për Veliajn. Ky i fundit është prezantuar edhe në profilin e Veliajt në Twitter, ku ministri i ri i uronte mirëseardhjen në ekip, shoqëruar me foton e tij dhe me një përfshkrim rreth shkollimit të Nurjes. “Ju prezantoj Shefin e Kabinetit, Alfred Nurja, i diplomuar ne Fletcher School Mirë se erdhe në ekip!”,- shkruajti Veliaj në Tëitter. Ndërkohë që, rreth stafit të ngushtë të ministrit mësohen edhe 3 emrat e këshilltarëve të tij: Enkelejda Lopari dhe Enkeled Musabelliu si Këshillatrë për Çështjet Sociale dhe Renato Kalemi, Këshilltar për Median. Para stafit të ministrisë, Veliaj artikuloi edhe premtimet e para si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, duke thënë se ndoshta nuk do t’i zgjidhë të gjitha hallet, por do të qajë hallet e njerëzve. E pas ceremonisë ai e ka nisur punën me takime me komunitetin rom. Aty diku pasdreke, ministri, shoqëruar nga stafi i tij i ngushtë, – Shefi i Kabinetit Alfred Nurja, Këshilltari për median Renato Kalemi, -rikthehet në ministri. Tek dera e takojmë dhe tregohet mjaft i gatshëm për të na rrëfyer për ditën e parë të punës. Asnjë shkarkim, por vetëm ndarje detyrash dhe përgjegjësish. Kjo është situata në këtë ministri për momentin. Në zyrat lart ishte duke u punuar. Po hiqeshin mobiliet e vjetra dhe po bëhej arredimi me të rejat, por kjo nuk është lejuar të filmohet. Edhe dita e dytë e punës për ministrin duket se do të jetë publike, duke qenë se është njoftuar një vizitë në Shkollën e Mesme Profesionale të Hoteleri- Turizimit. 

MINISTRIA E INTEGRIMIT EUROPIAN 
E veçantë ka qenë lënia e detyrës nga ish-ministrja Majlinda Bregu për pasuesen e saj, Klajda Gjosha. Bregu mësohet se kishte përgatitur një ceremoni të lënies së detyrës, por për shkak të vizitës së Gjoshës në Bruksel, kjo duket se mbeti pa u realizuar. Por mbi tavolinë, Gjosha do të gjejë një dosje të plotë të materialeve që kanë të bëjnë me gjithë hapat për integrimin evropian. E bashkë me këtë dosje, edhe një letër që e ka shkruar vetë Bregu. Duke e nisur me fjalët “E dashur Klajda”, Bregu shkruan në fund të letrës, pasi i lë edhe “amanetet” e procesit të integrimit: “Do të kesh ditë të vështira e ditë të mira, por jam e bindur, se secila prej tyre do t’ia vlejë, nëse shkurton kohën drejt përmbushjes së ëndrrës së parë demokratike të shqiptarëve. E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. E kështu ka qenë dita e parë e ministrave të rinj, të cilët nuk kanë mundur të shtrëngojnë duart me kolegët e mëhershëm të qeverisjes “Berisha” e të marrin sy më sy porositë për punët e mbetura pezull. 

MINISTRIA E SHËNDETËSISË 
Pa ceremoni dhe asnjë pritje të veçantë. Kështu ka filluar dita e parë e punës për ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja. Ai është paraqitur në ambientet e ministrisë rreth orës 09:20, ndërkohë që është pritur nga shefi i tij i kabinetit, Artur Lamaj. Në momentin e mbërritjes, ai shoqërohej vetëm nga shoferi i tij personal, ndërsa menjëherë është drejtuar në zyrën e ministrit. Mësohet se dita e tij e parë e punës ka qenë e shoqëruar vetëm me leximin e disa shkresave, ndërsa nuk ka patur asnjë prezantim me stafin e ministrisë. Beqja u largua nga ambientet e ministrisë rreth orës 13:30, por pa bërë të ditur se kur do të takohej me personelin ministror. Në pamje të parë, puna dukej se vijonte normalisht në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërkohë që në biseda ajo që të binte në sy ishte pasiguria e punonjësve për vendin e punës. Nëpër korridore përflitej se rreth 30 për qind e personelit aktual do të hiqej, ndërsa të tjerë thonin se shefat i kishin falenderuar për bashkëpunimin. Nga ana tjetër, për ish-ministrin Halim Kosova e premtja e javës së kaluar ka qenë dita e fundit e punës. Ndërsa, ndër thashethemet që shoqëronin largimin e tij, ishte fakti se gjatë largimit ai kishte marrë me vete dy prej kolltukëve që ndodheshin në zyrën e tij si dhe flamujt që dorëzohen gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve. Gjithashtu, mësohet se të premten, është dorëhequr edhe drejtori i Burimeve Njerëzore si dhe shefi i kabinetit të ministrit. 

MINISTRIA E ARSIMIT 
Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka qenë në qendër të vëmendjes ditën e djeshme, për shkak se fillimi i punës së ministres se re, Lindita Nikolla, përkonte edhe me fillimin e vitit të ri shkollor. Ajo nuk është pritur nga ish-ministri Myqerem Tafaj, për të bërë dorëzimin, por është prezantuar nga sekretari i përgjithshëm, Skënder Uku. “Sapo kam mbërritur në ministri kam kërkuar një takim me gjithë drejtorët dhe drejtoritë e linjave në varësi për t’u informuar me situatën dhe problematikat e fillimit të procesit mësimor në mbarë vendin”, – sqaroi ministrja Lindita Nikolla për ‘GSH’. Gjatë kësaj dite të parë të punës, ajo ka qenë e shoqëruar vetëm nga asistentja ndërsa nuk ka bërë publik asnjë emër të kabinetit të saj. Një numër punonjësish të kësaj ministrie kanë dhënë dorëheqjen nga puna që gjatë javës së kaluar, duke mos pritur ardhjen e ministres së re. 

MINISTRIA E MJEDISIT 
Era e ‘Rilindjes’ ka mbërritur që të dielën në mbrëmje në Ministrinë e Mjedisit. Kreu i ri i këtij dikasteri, Lefter Koka ka shkuar rreth orës 19:30 në ministri, ai është pritur nga ish-ministri Fatmir Mediu, i cili i ka dorëzuar detyrën. Takimi midis tyre është bërë bashkarisht me drejtorët e drejtorive të Ministrisë së Mjedisit. Punonjësit e ministrisë e shprehin frikën që kanë për vendet e tyre të punës sapo hynë në derën e ministrisë. Edhe pse thonë se gëzojnë statusin e nënpunësit civil, sërish kanë frikë. Gjë kjo që thuhet jo vetëm nga ata që janë në rang drejtorësh dhe postet e tyre mund të jenë më të lakuara, por edhe nga specialistët e thjeshtë të mjedisit. Deri më tani në këtë ministri me përjashtim të kabinetit të ish-ministrit Mediu, asnjë punonjës nuk është larguar nga puna. “Nuk kemi marrë ende kontakt direkt me ministrin, veç takimit të parë që patëm të dielën në mbrëmje. Ne gëzojmë statusin e nënpunësit civil, kemi ardhur me konkurs në këtë vend pune”, – thotë njëri prej drejtorëve të kësaj ministrie. Ndërsa dita e parë e punës e ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, ka nisur mëngjesin e së hënës. Ai është paraqitur që në mëngjes herët në zyrën e tij, por nuk ka pasur takime me punonjës të ministrisë. Në këtë ministri ende nuk kanë nisur të lakohen emra për postet e zv/ministrave. 

MINISTRIA E KULTURËS 
Dita e parë e punës për ministren e re të Kulturës Mirela Kumbaro ka nisur në orën 09:30, për t’u mbyllur pas orës 16:30. E shoqëruar nga ai që do të jetë shefi i saj i kabinetit, Dorian Koçi, ministrja është pritur dje në ambientet e dikasterit që do të drejtojë nga paraardhësi i saj, Visar Zhiti. Të dy ministrat, më herët pjesë e botës së letërsisë, i janë drejtuar më tej zyrës, ku kanë zhvillluar një takim që ka zgjatur më shumë se një orë. Mbetet e paqartë biseda konkrete mes tyre, por sipas burimeve të “Gazeta Shqiptare”, në takimin Zhiti-Kumbaro është folur për projektet e lëna përgjysëm, arritjet dhe problametika, çka në fakt është procedurë normale. Pas takimit dhe dorëzimit të detyrës, Zhiti ka lënë ambientet e ministrisë, ndërsa Kumbaro është prezantuar me stafin. Ministrja e re, nuk ka bërë mbledhje me punonjësit e administratës por i ka vizituar ata zyrë më zyrë. 



Ditën e djeshme, në punë pranë Drejtorisë së Turizmit, ka qenë edhe zonja e parë e vendit, Odeta Nishani. Burime pranë MTKRS, bëjnë me dije, se si pjesë të stafit, Kumbaro ka takuar edhe bashkëshorten e ministrit paraardhës, Edlira Zhitin. E thjeshtë, e qeshur dhe shumë e emocionuar, kjo ka qenë përshtypja që ka lënë në adiministratën që do drejtojë Kumbaro, pas bisedave të shkurtra që ka bërë në secilën zyrë që ka hyrë. Ndërkaq, me secilin bashkëbisedues të sajin ajo ka shkëmbyer mendime për punën, sipas sektorit që ata i përkisnin, përfshirë edhe vetë infrastrukturën e kësaj minsitrie. Mirela Kumbaro është paraqitur në ditën e parë të punës e shoqëruar nga shefi i saj i kabinetit, Dorian Koçi, por me të së bashku ka qenë edhe dy vajza, që mësohet se do të jenë sekretaret e saja. Ndërkohë që emrat e tyre nuk bëhen të ditur, pjesë e stafit të ministres së re, do të jetë edhe mbesa e Vedat Kokonës, Elira Kokona. E diplomuar për jurispruidencë dhe e angazhuar në këtë fushë deri më tani, kjo e fundit do të mbajë postin e sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Kulturës. Një emër tjetër i stafit të saj, ëshët ai i Milena Selimit, më herët gazetare kulture, autore skenarësh dhe vajza e Skënder Selimit, që do të jetë këshilltare për median. Mbeten ende pezull, emrat e tjerë të stafit të Kumbaros, nëse kemi parasysh që Ministria e Kulturës do të shpërbëhet, pasi drejtoria e Sportit dhe ajo e Turizmit, nuk do të jenë më pjesë e saj. 

GazetaShqiptare/BalkanWeb/