DURRES, 17 qershor 2013 – Gazetari dhe fotografi shqiptar Edmond Kaçeli hap të parën ekspozitë fotografike në Itali. E titulluar "Nga Shqipëria në Langhe" ekspozita sjell foto të realizuara pikërisht në zonën e Langheve, në Itali dhe në Shqipëri. Pamjet nga Shqipëria janë realizuar në rrethet e Lezhës, Krujës, Durrësit dhe Kurbinit, duke sjellë bukuri, detaje të natyrës, po dhe pjesë të realitetit.

“Fotografia u pëlqen njerëzve. Vizitorë të shumtë në ekspozitën time të parë fotografike ne Itali me foto nga Shqiperi dhe zona e Langheve ku jetoj prej 11 vjetësh. Deri tani kanë shkruar "La stampa" dhe "Gazzeta d'Alba". Jam i kënaqur, madje shumë.”- shprehet Kaçeli.

Ekspozita është çelur në hollin e Këshillit, në komunen Lequio Berria, Cuneo, Langhe, Piemonte, në kuadrin e festimeve të përvitshme kulturore dhe artistike që kjo komunë, në bashkëpunim me rajonin e Piemonte-s dhe shoqatat vullnetare organizojnë çdo vit. Në këtë aktivitet krahas ekspozitës së Kaçelit është çelur edhe ekspozita e piktores kuneze Candida Rabbia.

Kaçeli është një gazetar i njohur në Shqipërinë e pas vitit 1990, po prej vitesh ka emigruar bashkë me familjen në Itali. Ai jeton në zonën e Langheve, Piemonte prej vitesh. Është autor i tre librave me poezi, dy prej të cilave në gjuhën shqipe, "Simbiozë" dhe "Kur u mbaruan përrallat për fëmijë", ndërsa ka botuar në italisht librin "Il passero ribelle, (Zogu rebel) të përkthyer nga Daniel Gazulli. Ky libër është botuar nga shtëpia botuese "Editrice Letteraria Internazionale" në kolanën e poetëve italianë kontemporanë (Poeti italiani contemporanei). 

/v.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/