Miratimi i aktit normativ në parlament ka gëzuar ish pronarët, të cilët shpresojnë se më në fund do të arrijnë të marrin pronat e tyre për të cilat “luftojnë” prej mëse 20 vitesh. Kreu i shoqatës së ish pronarëve në Durrës Aqif Kacmoli shprehet se ne gjithë këto vite janë bërë padrejtësi të shumta në kurriz të ish pronarëve dhe shpesh prona u është kthyer atyre që nuk kanë qenë pronarë të ligjshëm. Sipas tij e majta gjithnjë e ka bllokuar këtë proçes, madje dhe me votimin e fundit tregoi se vazhdon t’u vërë shkopinj nën rrota ish pronarëve për të mos u dhënë mundësinë të gëzojnë pronën që kanë trashëguar nga prindërit e tyre.
Si e ka pritur shoqata e ish pronarëve aktin normativ që u miratua nga parlamenti?
Ne e kemi pritur mjaft mirë këtë akt normativ dhe kemi besim se qeveria më në fund do ta vërë në vend të drejtën e pronës, të paktën përsa i përket banesave të ish pronarëve që ende janë të zëna nga qiramarrësit. Ish pronarët kanë kaluar një kalvar mjaft të gjatë për të fituar të drejtën që i takon me ligj. Por dua të theksoj se ne si ish pronarë jemi të indinjuar që koalicioni i majtë ose më mirë ish bllokmenët vazhdojnë me politikat e tyre bllokuese ndaj shtresës sonë. Ky akt normativ përveç se do na kthejë pronën besoj se do të japë një efekt pozitiv edhe në ekonomi, pasi një pjesë e apartamenteve të ndërtuara vitet e fundit dhe ende të pashitura mund të blihen nga qiramarrësit përmes kredive që do t’u akordojnë bankat.
3289 qiramarrës në të gjithë vendin jetojnë ende në shtëpitë e ish pronarëve të shpronësuar në vitet ’45 e në vazhdim
869 qiramarrës janë aktualisht në Durrës sipas Entit të Banesave që strehohen në shtëpitë e pronarëve të dikurshëm
1 nëntori është afati i fundit që përcakton akti normativ për lirimin e banesave, proçes që do të mbikqyret nga Enti
:Akti normativ ka lënë si afat përfundimtar 1 nëntorin. A do të jetë e lehtë të vihet në zbatim në praktikë kjo nismë e qeverisë, sepse duhet të kemi parasysh që krijohet një problem social në këtë rast?
Unë dua të theksoj se në gjithë këta vite këto qiramarrës të banesave të ish pronarëve nuk kanë dhënë asnjë kacidhe as në arkën e shtetit dhe as tek pronarët legjitimë. Disa prej tyre në këto vite, duke e ditur që janë në pronë të huaj kanë përfituar nga kreditë e dhëna nga banka apo kanë ndërtuar vetë shtëpi dhe janë larguar. Ndërkohë disa të tjerë kanë bërë ligjin e të fortit duke lënë në një apartament një person të moshuar si e si për të mos lëshuar apartamentin, ndërsa vetë jetojnë në shtëpi luksoze. Shumë prej tyre kanë ngritur biznese dhe vazhdojnë t’i mbajnë padrejtësisht këto shtëpi. Për ta realizuar këtë nismë, personat që do të merren me këtë punë duhet të jenë njerëz me dinjitet, të pakorruptueshëm. E them këtë sepse në gjithë këto vite e majta ia ka kthyer pronën atyre që nuk kanë qenë pronarë, ndërkohë që pronarët e ligjshëm nuk kanë marrë asgjë. Me Vasil Hilën (ish kryetari i komisionit të kthimit të pronave në Durrës) u kthyen prona, u kompensuan prona dhe ju dha pronësia vetëm atyre që nuk kishin prona. Kjo është skandaloze. Gjithsesi unë kam besim se e drejta e pronësisë do të vihet në vend dhe më në fund ish pronarët do të gëzojnë pronat e tyre që ju sekuestruan padrejtësisht dekada më parë.
Megjithë miratimin e aktit normativ, problematikat e ish pronarëve që presin t’u kthehen pronat janë shumë më të gjera. Kur mendoni se do të zgjidhet përfundimisht problemi i pronësisë?
Prona është thembra e Akilit për shumë qeveri. Megjithëse ndër vite janë hartuar nisma të shumta ligjore problemet e pronësisë do të vazhdojnë, pasi të majtët vënë gjithnjë shkopinj nën rrota për të bllokuar këtë proçes.
Vangjush Dako
Kemi vetëm 120 apartamente për të ndarë
Kryebashkiaku Vangjush Dako shprehet kundër aktit normativ të miratuar javën e shkuar në kuvend, pasi sipas tij për zgjidhjen e këtij problemi duhen veprime konkrete dhe jo ultimatume. Në Durrës problemi i strehimit ëhstë një çështje mjaft e mprehtë prandaj kryebashkiaku i frikësohet faktit se situata mund të përkeqësohet edhe më shumë nëse sipas tij ato 1000 familje që janë strehuar në shtëpitë e ish pronarëve do të nxirren nga banesat në datë 1 nëntor. Dako nënvizon se qeveria po e përkeqëson me vendimet që merr gjendjen e të pastrehëve në Durrës. Bashkia e Durrësit pritet të ndajë 120 apartamente të ngritura nga Enti Kombëtar i Banesave sipas listës së të pastrehëve që do të miratohet në Këshillin Bashkiak. Por sipas tij këto 120 apartamente nuk mund të zgjidhin hallin e qiramarrësve të banesave të ish pronarëve. “Ne kemi përfunduar 120 apartamenteve të reja. Që të ndahen ato apartamente duhet që lista e përgatitur të miratohet nga Këshilli Bashkiak. Qytetarët janë shumë të interesuar sepse strehimi është një problem shumë i madh. Ne kemi 4-5 mijë familje të pastreha që kërkojnë strehim. Është një proces i vështirë sepse numri i kërkesave është i madh, ndërkohë që dokumentacioni që duhet të plotësohet ka kërkesa rigoroze për përfituesit. Qytetarët duhet të bindin këshillin bashkiak që e meritojnë të përfitojnë apartament nga Enti dhe njëkohësisht duhet të tregojnë se janë në gjendje të shlyejnë qiranë çdo muaj”,- tha Dako. Sipas kryebashkiakut në muajt e ardhshëm do të nisë ndërtimi edhe i 100 apartamenteve të tjera po përsëri ato janë shumë pak për të përmbushur pritshmëritë e të pastrehëve si dhe për të sistemuar të gjitha familjet që banojnë në shtëpitë e ish pronarëve.
Enti i Banesave
869 qiramarrës në Durrës
Në 24 bashki të vendit janë 3 289 persona të cilët do të përfitojnë kreditim të zbutur për blerje banese. Enti Kombëtar i Banesave, në zbatim të aktit normativ të qeverisë, miratuar pak kohë më parë, ka dorëzuar pranë Bankës Kombëtare Tregtare emrat e qytetarëve që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve. Nga lista e depozituar pranë bankës, numrin më të lartë të kësaj kategorie të pastrehësh e kanë bashkitë e mëdha si ajo e kryeqytetit ku rezultojnë 908 persona apo ajo e Durrësit me 869 persona dhe Shkodra me 605. Numri i të pastrehëve që banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve për bashkitë e tjera është më i limituar. Sakaq, nga ana e bankës emrat do të vlerësohen për përmbushjen e kushteve për dhënie kredie. Pronarët legjitimë të banesave, sikurse bëhet me dije nga MPPT-ja, duhet që të ndjekin procesin e lirimit të shtëpisë së tyre dhe në rast se ajo nuk lirohet brenda datës 1 nëntor, duhet që të njoftojnë pranë Entit.
Olldashi deklaron emrat e qiramarrësve
Sipas ministrit të punëve publike dhe transportit, Sokol Olldashi në familjet e ish pronarëve durrsakë jetojnë shumë figura të njohura të nomenklaturës së dikurshme si dhe ish punonjës të Sigurimit të shtetit. Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend para miratimit të aktit normativ Olldashi zbardhi disa prej këtyre emrave që sipas tij mbajnë me pa të drejtë këto banesa.
Në shtëpinë e Aristidh Lekës banojnë:
Adriatik Muka, ish kryetar dege
Basri Bedini, funksionar i lartë i Ministrisë së Brendshme
Familja e Lilo Zenelit, shef në MB dhe xhelat i diktaturës,
Qemal Klosi (babai i Fatos Klosit)
Beshir Laci, kryetar komiteti
Shemsi Spaho, zëvendës kryetar dege,
Shefki Hoxha, sekretar komiteti partie
Në pronën e Llambi Martos jeton:
Djali i Rexhep Kajoshës, ish-shefit të policisë së Durrësit mban 6 dhoma i vetëm fare
Olldashi, për Dakon
Kryetari bashkisë së Durrësit ka ndërtuar 15 pallate në atë qytet, a i ka falur një apartament të vetëm dikujt? Atëherë ky njeri që ka ndërtuar 15 pallate me çfarë morali qytetar i drejtohet pronarëve dhe i thotë, faljani shtëpitë tuaj, faljani shtëpitë atyre që ju groposën nëpër bodrume!