Ismail Kadare është prej vitesh kandidat për Çmimin Nobel, edhe për vitin 2017 ai është një nga emrat më të lakuar për të qenë fitues.
I lindur në Gjirokastër në vitin 1936, Kadare është shkrimtari shqiptar më i njohur sot në botë që për më shumë se gjysmë shekulli ka lëvruar poezinë, prozën, esenë. Ai debuton në botën e letrave kur ishte akoma gjimnazisht në vitin 1954 me vëllimin poetik Frymëzimet djaloshare.
Gjatë studimeve letrare në Universitetin e Tiranës dhe më pas në Institutin “Gorki” të Moskës deri në vitin 1960, ai boton vëllimet Ëndërrimet (1957) dhe “Shekulli im” (1961).
Vargu i tij reflekton fillimisht shqetësimet e moshës dhe shumë shpejt nga një vëllim në tjetrin metaforat e Kadaresë bëhen një imazh i Shqipërisë dhe shqiptarit si në poemën “Përse mendohen këto male” (1964).
Nga ky moment e në vazhdim komunikimi i veprës së tij me lexuesin shqiptar, veçanërisht me prozën, bëhet i padiskutueshëm dhe i pandërprerë. Prandaj ai mbetet një autori më me ndikim në botën shqiptare.
Një nga meritat kryesore që njëzëri i njihet letërsisë së tij është emancipimi gjuhësor, pasurimi dhe zhvillimi i shqipes letrare që shpaloset në romanet “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella, “Kronikë në gurë”, “Prilli i thyer”, “Pallati i ëndrrave”, pa lënë jashtë romanet “Dimri i madh” dhe “Koncerti” që janë kritikuar më vonë për lëvdimin që i bëjnë regjimit të Enver Hoxhës. Por vetë shkrimtari ka dalënë përfundimin e gjithë vepra e tij është dëshmi e dëshmi e rezistencës që mund të bëjë arti dhe letërsia në kushtet e mungesës së lirisë dhe falë kësaj letërsie e ka ndjerë veten të lirë.
Aktin e largimit nga Shqipëria në tetor 1990 dhe azilin politik në Francë, ai e ka komentuar si një formë proteste ndaj diktaturës që në fakt ishte duke dhënë shpirt.
Botimi i veprës së plotë në Francë krijoi mundësi për përhapjen në gjuhë të tjetra gjatë këtyre tri dekadave të fundit. Kjo i dha njohje më të gjerë dhe e shpërbleu me çmime të rëndësishme “Man Booker International Prize” (2005), “Princi Asturias” (2009), Çmimi i Jeruzalemit (2015) dhe së fundi “Urdhri i Legjionit të Nderit” (2016) nga Presidenti i Francës.