TIRANË-‘Një sfinks në dimër’ titullohet intervista ekskluzive e Kadaresë, dhënë revistës ‘La Revue’, në numrin e shkurtit 2013.
Gazetari Frederic Ferney në një bashkëbisedim kur i përmendi “Sot Shqipëria është një republikë parlamentare demokratike dhe përfaqësuese që aspiron të pranohet në Bashkimin Europian, apo jo?, Kadare e vlerësoi kështu republikën e Shqipërisë dhe ëndrrën për integrim në BE.
“Le të themi: një republikë e ngatërruar dhe e korruptuar, që ëndërron Europën, por që, për fat të keq, komuniteti europian nuk ka pikën e dëshirës për ta pritur krahë hapur”.
I pyetur “Si mund të jesh shqiptar?”, shkrimtari rrëfen se “Sa për këtë, edhe unë vras mendjen! E dini se çfarë shkruante në shekullin II një autor latin, në Nuits attiques: “Në fund të botës, ndodhet një vend i quajtur Shqipëri, ku lindin burra të cilëve u zbardhen flokët që fëmijë dhe që shohin më mirë natën se ditën…”
‘Nuk është shumë e gëzueshme…’shton më tej autori.
"Cfarë t’i bësh fatit, atje u linda!"-përgjigjet shkrimtari.
Kurse interesit se ‘nga e ka origjinën urrejtja shekullore e serbëve dhe shqiptarëve?’, Kadare tregon se kjo buron në shekullin e VIII dhe IX.
“Ah, kjo… fillon që në shekullin VIII dhe IX, kur pushtuesit sllavë, të ardhur nga stepat e Uraleve, ushtruan mbi shqiptarët një trysni që tkurri territoret e tyre. Pati luftëra pa fund. Sllavët pushtuan përkohësisht Kosovën dhe një pjesë të Shqipërisë, pa arritur ta shkatërrojnë këtë vend të vogël që i ndan nga Adriatiku. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjermanët çuditërisht donin të bënin për vete shqiptarët dhe, akoma më e çuditshme, i klasifikuan ndër “racat superiore”. Ata donin që shqiptarët të kishin nën Rajhun e tretë, të njëjtin pozicion si nën Perandorinë Otomane. Ata bashkuan Kosovën me Shqipërinë. Nuk është nevoja t’ua them se nuk na leverdis t’ia dimë për nder Hitlerit këtë bashkim të përkohshëm”.
‘La Revue’ është revista më e madhe mujore në gjuhën franceze. Ka filluar të botohet në vitin 2006, si revistë me analiza. Ajo ndërthur politikën, ekonominë, shkencat dhe kulturën. Me qendër në Paris, shpërndahet në Francë, Belgjikë, Zvicër, Kanada, Magreb dhe Afrikë subsahariane, në një tirazh prej 90 000 kopjesh.
Autori i artikullit e cilëson Ismail Kadare, një shkrimtar që mbetet një autor i paklasifikueshëm dhe enigmatik. “Është një bir Homeri që ka shkruar Iliadën me bojën e Orwell ose Huxley. Vepra e tij – madhështore, paralajmëruese, muzgore, flet për të”.