Romancieri shqiptar, libri i ri i të cilit është "Rënia e qytetit të gurtë" (shqip: "Darka e gabuar"), flet për armët që ai zgjodhi në luftën kundër totalitarizmit dhe se si ia doli të publikojë librin e tij të parë.
Ku jeni rritur?
Në një qytet mesjetar në jug të Shqipërisë.
Ku jetoni dhe përse?
E ndaj jetën time mes Tiranës dhe Parisit.
Ju fituat çmimin "Man Booker Prize" në vitin 2005. Si ndikoi ai në karrierën tuaj? Sa kuptimplotë ishte ta fitoje atë në vitin që u inaugurua si çmim?
Ky ishte një nga çmimet më të rëndësishme në jetën time si shkrimtar.
Jeni nominuar disa herë për Çmimin "Nobel" në letërsi. Shumë pak shkrimtarë e kanë një përvojë të tillë. Cili ka qenë reagimi juaj ndaj këtyre nominimeve?
Po, është e vërtetë se unë jam nominuar disa herë për këtë çmim dhe çdo herë e kam konsideruar atë një nder. Megjithatë, fakti që kurrë nuk e fitova atë nuk më bën të vuaj, edhe pse ndonjëherë atyre që më kritikojnë iu pëlqen të mendojnë se më ka bërë të vuaj. Ka gjithmonë disa kandidatë dhe vetëm një fitues. Kjo është arsyeja pse kur dikush nominohet për një çmim, shanset që të mos e fitojë janë më të mëdha se sa e kundërta.
Ju jeni ngritur disa herë për të drejtat krijuese të artistëve dhe kundër diktaturës. Cilat janë disa vepra të mëdha të letërsisë që ju admironi për aftësinë që kanë në luftën kundër diktaturës dhe absolutizmit?
Në përgjithësi letërsia është një kundërshtare e natyrshme e totalitarizmit. Të gjitha qeveritë tiranike e shohin letërsinë në të njëjtën mënyrë: si armikun e tyre. Kam jetuar për një kohë të gjatë në një shtet totalitar dhe e njoh shumë mirë atë tmerr. Kjo është arsyeja pse unë kam respekt të madh për veprat letrare të atyre që kanë luftuar kundër tiranisë (nga Bulgakov dhe Mandelstam tek Solzhenici).
Ju lutem na rekomandoni tra libra (jo tuajt) për lexuesit tuaj.
Është një pyetje e vështirë, sepse është e vështirë të zgjedhësh vetëm tre. Megjithatë, unë po përpiqem t'iu jap ju një përgjigje: "Makbethi", "Don Kishoti" dhe "Procesi" i Kafkës.
Cili është vendi që ju frymëzon?
Nëse arrij të shkruaj diçka që unë e konsideroj të mirë dhe të vlefshme në një vend të caktuar, ai vend ka automatikisht atmosferë të veçantë për mua. Në Shqipëri ka dy qytete ku kam shkruar pjesën më të madhe të veprës sime: në Gjirokastër, qyteti im i lindjes dhe në Tiranë. Në pjesën tjetër të botës, tri janë qytetet që mund të përmend. Më i rëndësishmi është Parisi. Pas kësaj vijnë Moska dhe Nju Jorku. Në secilën nga këto vende kam shkruar një roman të shkurtër.
Çfarë është e sigurt se ju bën të qeshni?
Situata e fundit në vendin tim (Shqipëri), problemet e saj, aspektet e saj groteske, keqkuptimet e saj.
Çfarë është e sigurt se ju bën të qani?
E njëjta gjë.
Si u botua libri juaj i parë?
Është botuar në vitin 1955. Isha ende nxënës i shkollës së mesme në qytetin tim të lindjes, Gjirokastër. Ishte një përmbledhje poezish, që papritmas më bëri të njohur në qytetin tim. E kisha dërguar me postë dorëshkrimin në shtëpinë botuese kryesore në Tiranë. Kam qenë 16 vjeç në vitin 1953, kur e dërgova. Pas tre muajsh mora një telegram nga botuesi: "Ne po shohim mundësinë e botimit të librit tuaj me poezi. Eja menjëherë në Tiranë". Distanca nga shtëpia ime në Tiranë me autobus zgjaste 10 orë. Babai im, që në përgjithësi ishte indiferent ndaj asaj që shkruaja, krejt papritur u interesua për këtë. Ai më tha se do udhëtoja me taksi!
A ka pasur një çast të veçantë kur ju e ndjetë që ia kishit dalë mbanë si shkrimtar?
Kjo ishte pikërisht në atë udhëtimin me taksi që përmenda më lart. Në atë kohë, kjo ishte një gjë shumë e rrallë për një nxënës të moshës sime, pra të merrte një taksi për në kryeqytet. Lajmi u përhap shpejt në qytetin tim, për shkak të risisë që kishte.
Na thoni diçka për veten, që është e panjohur dhe mbase e habitshme?
Në qoftë se do të ma kishit bërë këtë pyetje disa muaj më parë, ndoshta do të kisha qenë në gjendje t'ju jepja një përgjigje. Gjithsesi, gruaja ime, Helena Kadare, ka botuar librin e saj me kujtime nga jeta jonë. Në librin e saj, "Kohë e pamjaftueshme", ajo tha pothuajse çdo gjë që mund të thuhet për mua dhe po mendoj se s'ka mbetur gjë tjetër për t'u shkruar.