Nga: Shpëtim Kodra

   At Zef Pllumbi: ”Kadareja është më i madhi luftëtar, në mbrojtje të kulturës, identitetit dhe integrimit evropian të Shqipërisë.”  Ismail Kadare (28.1.1936 -1.7.2024) e ka nisur krijimtarinë letrare  me  vëllimin poetik “Frymëzime djaloshare” (1954). Zhvilloi krijimtarinë letrare paralelisht në poezi dhe në prozë. Shkroi tregime të shkurtra, si “Kujtime të humbura” (1955), më pas vëllimin tjetër poetik “Ëndërrimet” (1957). Helena Kadare: ”Vëllimi poetik “Shekulli im” ishte gjithë nerv e rebelizëm artistik. Libri zgjoi një reagim të fortë në të gjitha shtresat e shoqërisë. Ai ishte një sfidë arrogante kundër poetikës së kohës”. Poezitë e tij dalloheshin  edhe për figurat letrare të guximshme.  Arti i tij do të refuzonte që në fillim parimet dogmatike të realizmit socialist. Termi “realizëm socialist” ishte një mashtrim  ideologjik.

Letërsia  socialiste  jetoi aq sa vetë sistemi socialist, sepse  funksiononte si”ndihmëse e partisë për edukimin komunist të masave”.  Realiste mund të jetë vepra e shkrimtarit në çdo epokë historike. Po ashtu edhe termi “realizëm magjik”, si  “amalgamë e realizmit dhe fantazisë”(sipas A.Flores) , me karakter ideo-estetik, por jo ideologjik, që ka lindur në vitet `30 në Amerikën latine, është përqafuar nga letërsia moderniste evropiane e shekullit XX. Surrealizmi dhe realizmi magjik shmangin paraqitjen strikte, objektive  të realitetit. Ëndrra, magjia, absurdi, ose e pamundura, shfaqen në botën e tyre të rrëfimit. Përdorin figura e ngjarje simbolike, për të shprehur identitet, emocione e ide të thella. Sfidojnë logjikën klasike. Ngjarjet nuk ndjekin gjithnjë rregulla racionale. Surrealizmi fokusohet te nënvetëdija, ëndrrat dhe impulset e pavetëdijshme. Realiteti shpesh është  i copëzuar, kaotik. Vizione të errëta, groteske, ankth ekzistencial.

Qëllimi kryesor është çlirimi i mendjes nga normat shoqërore e logjike, me elementet e çuditshme e të panatyrshme. Largimi në dukje, jo në thelb,  nga realiteti, në formë ëndrrash. Realizmi magjik lidh botën reale me fantazinë, ëndrrën me realitetin, vetëdijen me nënvetëdijen. Në realizmin magjik bota paraqitet kryesisht realiste dhe e njohshme. Elementet magjike shfaqen si pjesë normale e jetës. Tregimi mbetet i qetë, narrativisht realist. Magjia përdoret për të reflektuar histori, kulturë, politikë, ose traditë. Sigurisht është ndikimi i psikanalizës së S.Frojdit.   Mitrush Kuteli, instinktivisht, është nxitur nga rrëfimet folklorike,nga  përrallat me elemente fantastike. Edhe Kadareja është frymëzuar duke gjurmuar thellë në traditën gojore, në mitet e krijuara nga fantazia popullore, nga folklori,ku  gjeti temat, simbolet”. Surrealizmi dhe realizmi magjik janë karakteristike për letërsinë moderniste evropiane.                                      

  Në  vëllimin poetik “Lirika” (1961) në rusisht, në parathënien e  shkrimtarit dhe kritikut të njohur  David Samoillov, thuhet:”I.Kadare -poet qytetar. Shpesh herë në vargjet e tij vihen re gjurmë të modernizmit perëndimor. Poezia e tij fillon të bëhet e ndërlikuar, e mjegullt, si te poema interesante “Taksia mbi humnerë.” Por sëmundjet e tij  janë sëmundje e rritjes.”   Do të ndeshej  me ndalimet dhe kritikat e rrepta, që te romani i parë, i lirë e i guximshëm “Qyteti pa reclama”. I shkruar më 1959, por i reduktuar në tregimin “Ditë kafenesh”, u publikua te “Zëri i rinisë”, por u  cilësua dekadent, pa mesazhe dhe pa personazhe të kohës.  Duke u njohur me letërsinë sovjetike dhe realitetin në BRSS, Kadare shkroi “Muzgu i perëndive të stepës”, ku Boris Pasnë poternaku shfaqet si një hero pozitiv, që ka denoncuar leninizmin e stalinizmin, ndërkohë që nxitej furtuna e egër e shpifjeve kundër këtij shkrimtari nobelist. Kadareja u shqua në brezin e  poetëve më  të rëndësishëm të  viteve `60.  Mira Meksi:”Poezia e Kadaresë është sfidë, kurajë, emocion. Ka krijuar vepra madhore  në prozë, si  tregime, novela e romane; drama, ese e sprova letrare, skenarë filmash dhe përkthime nga  letërsia franceze, greke, ruse etj.

Mbetet në kujtesë “Plaku e deti” i Hemingueit.  “Autobiografia e popullit në vargje” zbërthen saktë e bukur, përmes një analize shkencore, vlerat e rralla  artistike, historike e politike të poezisë popullore, e cila na rrit krenarinë kombëtare. Të shkëlqyera janë edhe esetë për Eskilin, Danten, Hamletin, Migjenin etj. Ndërsa sprova “Mosmarrëveshja”, siç shprehet M.Mandala, “përbën një akt dashurie për atdheun, një testament të orientimit perëndimor të Shqipërisë”.  Kadareja krijoi nën një diktaturë të ashpër, por arriti të ndërtojë një univers letrar, i cili sfidoi e demaskoi pushtetin absolut. U gjend para dilemës  së vazhdueshme: heshtje, ose mbijetesë  përmes një gjuhe të koduar. Ai zgjodhi rrugën e dytë, duke ndërtuar një letërsi alegorike, simbolike e mitike, ku diktatura nuk përmendet drejtpërdrejt, por është gjithnjë e pranishme, si atmosferë kontrolli, frike e absurdi. Një aspekt i raportit të shkrimtarit me diktaturën, është përdorimi i historisë dhe i mitit. John Updike:“Kronikë në gur”, një roman magjepsës, i sofistikuar, i arrirë në prozën e tij poetike e në zhdërvjelltësinë e rrëfimit. Enigma e qytetit të çuditshëm epik e fantazmagorik, pasqyron dramën e qyteteve, të vendeve dhe popujve.

Jeta plot dhembje e fatkeqësi. Qytet i vjetër që nuk i përfill ligje e arkitekturës e të urbanizimit.Markezi dhe Kadareja shkruajnë për qytete, që ende vezullojnë me magji. Gjirokastra duket më tekanjoze se Makondoja e Markezit”. ”Ura me tri harqe”, apo “Kështjella”e zhvendosin ngjarjen në kohë të largëta, por në thelb aludojnë për realitetin e kohës së autorit. Historia   shërben si pasqyrë e së tashmes, ndërsa miti i jep veprës një dimension universal, duke treguar që tirania është fenomen i përsëritshëm në historinë njerëzore.Ndërsa rastet e çmitologjizimeve te “Përbidshi”, “Piramida”, “Prometeu”, “Laokoonti” etj janë në shërbim të të vërtetave universale. The Guardian:”Kadare -romancier që e rrok historinë me një frymë të fuqishme shekspiriane.” Art do të thotë: paraqitje alternative e së vërtetës. E të vërtetës më lartë.

   ”Kadare nuk paraqitet si rebel i hapur, por si një intelektual që reziston përmes artit. Vepra e tij bëhet një formë kundërshtimi e heshtur, një akt guximi estetik e moral. Ai ruan dinjitetin e shkrimtarit, duke mos u shndërruar në zë propagandistik, por as duke heshtur, madje duke shkruar mbi 50 vepra, njëra më interesante se tjetra, por duke pranuar edhe ndonjë dështim në kohë të caktuar e për arsye të ndryshme. Ai vetë e cilëson romanin “Dasma” një vepër të dështuar. Ndërsa poema “Shqiponjat fluturojnë lart”, të cilën e recitonin aq shpesh, e bezdiste mjaft.. Vepra e tij dëshmon se arti i vërtetë mund ta gjejë rrugën për ta thënë të vërtetën, përmes bukurisë estetike, edhe në kushtet më të errëta të mungesës së lirisë. Ai pranon se lirinë e fitoi përmes letërsisë. Në veprën e tij fjala artistike mbetet një hapësirë e lirisë dhe e  të vërtetës. Më 20 shkurt 1991, kur ranë bustet e diktatorit, njerëzit e lirë hodhën tej edhe 70  veprat e tij. Në 265 faqe të  librit “Kadare në gjuhët e botës” kritiku letrar Bashkim Kuçuku pasqyron vlerësimet e larta të kritikës letrare dhe të personaliteteve botërore për shkrimtarin e përkthyer në 45 gjuhë dhe të vlerësuar me 7 çmimet më prestigjioze  letrare.

          Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”doli në shtyp si një tregim. I mahnitur nga “Orestia” e Eskilit dhe mbërritja në Greqi e eshtrave të ushtarëve grekë nga Troja, u frymëzua dhe Kadareja. Erdhi më 1963 si roman me të cilin niste letërsia modern  simbolike.U prit ftohtë në Shqipëri. Në të sundonte një klimë e zymtë, madje u kritikua për ”pacifizëm dhe altruizëm të kundërshtarit”. Pas botimit në Francë më 1972, romani do të merrte udhët e Evropës e të botës. U vu në skenë në Teatrin Kombëtar në vitet `70. U ekranizua më 1975 nga RTSH. Më 1989 Dh.Anagnosti realizoi filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur.”Michel Piccoli e Luciano Tovoli  realizuan filmin me pjesëmarrjen e M.Mastrojanit dhe Anouk Aimee, një sintezë e përsosur.  Në roman absurdi i luftës shndërrohet në meditacion të thellë mbi kujtesën dhe humbjen njerëzore. Me subjektin makabër, me atë klkimë fantazmash dhe ëndrrash trishtimi, me gjeneralin e priftin që nuk e duan Shqipërinë, kemi një vepër surrealiste. Një histori e ngjashme me tragjeditë antike. “Gjeneral” është një nga librat më të fuqishëm kundër luftës, pikërisht sepse nuk trajton luftën, por vdekjen, pra pasojën. Veprat e Kadaresë kanë një madhështi tronditëse. Arti i tj shquhet për origjinalitet dhe frymë universale, moderne e bashkëkohore. Është cilësuar nga disa kritikë si shkrimtari më i shquar i Evropës Lindore, apo i shek.XX.

          Nica -emblema e veprës, simboI i luftës e i sakrificave, ku plekset një tragjedi vetjake me një tragjedi kombëtare. Monologët e brendshëm të saj kanë shumë dhimbje e urrejtje, por edhe psikologji e filozofi. Në monologun e parë, ajo pyet Gjeneralin:”Pse erdhe në dasëm? A nuk e kupton që je i tepërt? Ardhja e tij i hap plagën e pashërueshme. Thesi me eshtrat e kolonelit Z, që ra në dysheme, sikur e pushkatoi gjeneralin, të cilin e zu frika dhe u largua pa gdhirë nga fshati, duke hedhur në lumë thesin me eshtrat.   Në shënjestër të gjitha llojet e ushtrive pushtuese dhe të llojeve fashiste. Gjenerali  që s`ka as emër, as mbiemër, vjen më 1958 të komandojë ushtrinë e strehuar nën mushamanë e kamionit. Jepet edhe takimi i tij me një leitnant kolonel gjerman, që kish ardhur me të njëjtin mision.

Vdekja e Reizit nga gërvishtja e dorës në kopsën e uniformës së ushtarit të vdekur, është simbolike: kufomat duhen rivrarë, që të mos vrasin sërish.Aktual e i gjthkohshëm është romani, pasqyra, ku Rusia sot shikon vetveten. Eljanos Kasaj:”Më 15 tetor 2025, në sallën “Bethoven”të teatrit “Balshoj”në Moskë, u zhvillua ceremonia e përvitshme e ndarjes së çmimit “Jasnaja Poljana”.Këtë vit çmimin e mori Vasilij Tjuhin, për përkthimin në rusisht të romanit gogolian “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Kadaresë V.Tjuhin:”Vepra e Kadaresë  është pa dyshim një kryevepër. Shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim për rikthimin e këtij libri në qendër të vëmendjes. Kjo është një vepër vërtet klasike. Rusia po kalon pothuaj 4 vite luftë të përgjakshme vëllavrasëse në  Ukrainë. Prej vijave të frontit dhe llogoreve të saj, e vetmja gjë që kthehet, nuk janë heronjtë, por thasët e zinj të najlonit.”

     Pas L.II. Botërore  ndodhën tri sfida Të Davidit me Goliathin, në vitet 1948 (me Titon), 1960 (me Hrushovin) dhe më 1978 (me Maon). Për arsye që dihen, pjesa e parë e një triptiku të mundshëm, nuk u shkrua dhe mbeti një diptik. Lidhur me pjesën i “Dimri i vetmisë së madhe (Dimri I madh), Kadare shkruan:”Në Moskë kishin ndodhur gjëra që duheshin fshehur(mbuluar) e jo zbuluar. Po trajtoja gjënë më delikate në botë, të mistershme, të çuditshme, të bukur, të pandodhur, të papërfytyrueshme”. Dosja ultrasekrete ishte më dramatike sesa e mendoja;  një tmerr i vërtetë. Izolimi ideologjik, kulti i udhëheqësit. Prishja me BS  zbulon  mekanizmat e diktaturës komuniste. Jean -Paul Champseix në vitet 1982 -88 ka dhënë letërsi franceze në USHT. Ai shprehet:”Lexova “Dimrin e vetmisë së madhe.”

Kjo vepër më habiti. Duket sikur e ngre figurën e E.Hoxhës, por nxjerr në pah se ai qeveriste i vetëm. Autokracia e udhëheqësit është absolute. Kishte pllakosur kriza ekonomike. Një shoqëri policore. Në hotel “Adriatik” në Durrës kishte më shumë spiunë të sigurimit sesa turistë. Disident ose jo, Kadareja mbetet në panteonin e shkrimtarëve më të mëdhenj të botës.” Diktatori -një tiran shpresëhumbur, që sundon një vend të varfër e të braktisur. Shqipëria- vendi më i izoluar. Vepra përshkohet nga ankthi ekzistencialist dhe fryma e deheroizimit. Bie në sy një numër i madh personazhesh negativë. Nëpërmjet karikaturizimit të udhëheqësve botërorë të komunizmit, shembet propaganda për ndërtimin e socializmit dhe triumfin e komunizmit. “Dimri”- një pasqyrë monumentale e izolimit politik e shpirtëror, ku historia kombëtare merr përmasat e një drame universale.

   Mbledhja e 81 partive, si një requiem për komunizmin botëror. Lëvdon tiranin shqiptar për kundërvënien ndaj Hrushovit, por kritikon shoqërinë që ai udhëheq. Personazhi kryesor Besniku vetmitar, individualist, i fshehtë. Gjatë një dremitjeje, iu shfaq Koçi xoxe, që i tha:”Unë krimet i bëra, se i kërkonte koha.” Raqi, ish polic i Sigurimit, njeri pervers.  Inkuizitor e i gatshëm për spiunime. U kall datën njerëzve. Mishërim i kontrollit total mbi individin. U kritikua rëndë nga partia dhe masat punonjëse, por tirani nuk e zhduku. Kadare:”Të më dënonte, ishte si të griste portretin e vet, me duart e veta. “Koncert në fund të dimrit ”trajton prishjen shqiptaro -kineze dhe shfaq absurdin e politikës totalitare, ku ideologjia mbizotëron mbi arsyen.

Metafora e koncertit simbolizon  marrëdhëniet politike artificiale, të ngritura mbi interesa ideologjike dhe jo mbi vlera reale. Paraprihet rrëzimi i M.Shehut nga E.Hoxha më 1981, me ngjarjen e Lin Biaos. Mao Ce Dun-i përshkruhet si një tiran misterioz e shpirtkeq, i cili ishte përgjegjës për vrasjen e Lin Biaos dhe familjes së tij në aksidentin ajror, ndërsa ata largoheshin për në Hong Kong, pas dështimit për të vrarë Maon. Autori merret me problematikën e luftës ndërmjet progresit dhe regresit, kulturës dhe antikulturës, ballafaqimit të diktaturës me demokracinë .Lojë e egër modern me Revolucionin Kulturor kinez, e plotësuar me “dashurinë e pakufishme” për kryetarin Mao, i cili mbjell fusha të tëra mariuhane, për të shkatërruar kulturën botërore. Mao shfaqet si një figurë groteske, si një klloun megalloman.

   Ndalimi i letërsisë dhe artit perëndimor gjatë Revolucionit Kulturor. Zëvendësimi me citatet e Maos. Drogimi i trurit. Kontradiktat e shtetit tonë me palën kineze, në fushën ideologjike,politike, ekonomike e kulturore. Maoizmi dëshiron të shfarosë artin, gjuhën, lirinë. Shkrimtarët dërgoheshin të  punonin nëpër orizore. Dënoheshin Shekspiri, Servantesi, Tolstoi e Bethoveni.  Mao që  kritikonte Marksin, shprehej:”Komunizmi, jo vetëm ishte, por edhe duhet të jetë i paarritshëm. Mjaft që ai të mbetej një shpresë, ose mirazh në shkretëtirë.” “Koncerti” -romani  satirë, më i guximshëm, më i drejtpërdrejtë e jo alegorik, por profetik. Në vjeshtë 1981 u dorëzua për botim. Me 17 dhjetor 1981 pasardhësi, kryeministri shqiptar u gjet i vrarë. Pas mbledhjes. Pas mesnate. Diktatorët janë të ngjashëm. E.Hoxha me përcaktimin në librin  e B.Fevziut, ngjan mjaft me përcaktimin e Ali Pashë Tepelenës në librin “Krime famëkeqe” të A.Dymasë.  

   Dy vepra tipike, me elemente më të dukshëm disidence, janë një poezi e një roman, “Pashallarët e kuq” dhe “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”.  Përplasjet e forta me instrumentet e diktaturës kanë qenë në mjaft vepra të Kadaresë. Në mars 2002 u botua poema me titullin prozaik “Në mesditë byroja politike u mblodh”.Kjo poemë, nga pëshpërima popullore, mori emërtimin “Pashallarët e kuq.” . Ndërsa ditari i E:Hoxhës për këtë poemë, u zbulua më 2016.  Në këtë ditar personal që mban datën 20 tetor 1975, diktatori shkruan:”Është e qartë se Kadare është kundërrevolucionar dhe, me atë poezi denigruese e sabotuese, maskon punën armiqësore. Sipas tij, regjimi te ne, është “duke shkuar në varr”,është “prishur nga themelet.”

Ky poet borgjez atakon gjithë ndërtimin e socializmit në vendin tonë. Ky poet korbash thotë se “s`ka  parti që të luftojë burokracinë”. Për këtë poet reaksionar,rendi ynë socialist është një rend burokratik dhe burokratët përbindsha, që “çojnë trupin e revolucionit në varr”. Por doli Enver Hoxha etj. dhe “Jevtushenkoja shqiptar” i thur elozhe Enverit, si “i vetmi shpëtimtar”. Për Kadarenë nuk ekziston as popull, as klasë, as parti; të gjithë janë të krimbur. Vetëm E.Hoxha qëndron dhe shpartallon armiqtë. Ky poet i lig është me talent e shkruan bukur, por i është rritur mendja, se botuesit borgjezë i shtypin disa romane. Këta elementë duhet  t`I edukojmë me m-l, sa të mos jetë vonë, ashtu siç thotë vetë Kadareja, “në rast se nuk duan të pushkatohen në bulevardin e madh”.Kjo vjershë duhet të mbetet një aksident.”

   Bashkim Shehu:”Frika e E.Hoxhës ishte se, po të dënonte Kadarenë, do të krijonte një Solzhenicin shqiptar, artistikisht më të fuqishëm.” Me pretekstin e goditjes që tirani i dha kastës burokratike, Kadare i akuzon, për herë të parë në letërsinë e kohës, burokratët si kriminelë e gjakatarë. Një kurajo e pafre e shkrimtarit, që nuk e njihte sa duhet autocensurën. Për poetin, parimet e realizmit socialist, nuk kishin lidhje me realitetin konkret, ishin sterile. Atë e tërhiqnin ngjarjet me mister, që kishin tërheqjen e fshehtë dhe një mjegull surreale, që t`i mbështillte. Prandaj shfrytëzon mitin  e Herakliut, i cili,  veshi zhgunin e përgjakur të viktimës së vet, centaurit Nesus. Aluzioni është i qartë. Pushtetarët komunistë, pashallarët e kuq, pasi veshën rrobat e të përmbysurve, pasi i  grabitën, i internuan e i  pushkatuan.

Një poezi e zymtë, makabre, me penelata shekspiriane, ku ndërthuren realja, fantastikja e grotesku. Antirealizëm socialist. Kontrast i propagandës me realitetin konkret. Poezi e guximshme, demaskuese. Kalbja e sistemit simbolizohet nga “tumori i zi”. Pasqyrohet besnikërisht  edhe trimërisht, gjendja e pashpresë, kanceroze e sistemit komunist. Sistemi, i bazuar në luftën e përbindshme të klasave, në mashtrimin dhe hipokrizinë, s`mund të ishte jetëgjatë. Portret real e i frikshëm i burokratëve pashallarë të kuq, vegla vrastare të sulltanit të kuq.

         Vargu “nga themelet gjakun duan të fshijnë shpejt”, na kujton lbrin më të dashur që në fëmini, për Kadarenë, “Makbethin”, ku thuhet:”Vallë a e lan dot ujët e oqeanit, prej kësaj dore gjakun?”. Më vonë do të shkruante edhe poezinë “Sapuni “Ledi  Makbeth”. Komunistët nëpërkëmbën idealet e dëshmorëve idealistë, madje duke përdoruar në mënyrë  cinike  togfjalëshin “amaneti i dëshmorëve”.Vijon përshkrimi simbolik i skenës makabre surreale të kthimit përmbys të trupave të dëshmorëve. Një skenë e denjë për penelin e F.Gojës. Gjysma e dytë e poemës shfrytëzon legjendën e Rozafatit, duke sjellë idenë se, për të qëndruar kështjella socialiste, nuk mjaftojnë sakrificat e dëshmorëve.

Krahasimi i diktatorit me Krishtin tingëllon ironik e provokues. Si një hero donkishotesk, ai kërkon të shpëtojë i vetëm situatën. Thirrja për kontrollin punëtor tingëllon si parullë boshe. Mesazhi është i qartë. Progresi, lumturia në atë sistem, është iluzore. Pas kësaj poezie, autori iu nënshtrua një periudhe riedukimi. Lidhur me këtë poemë, Helena Kadare kujton:”U thanë gjërat më të llahtarshme. Ishin ditë shumë të rënda. Ismaili ishte shumë i dëshpëruar. Por nuk ligështohej”. Bëri  një autokritikë të fortë.  Morgan:”Kadareja -shkrimtar gjeni e takticien brilant, i cili ia doli mbanë të mbijetonte në regjimin më të ashpër. Ai është këngëtar i identitetit të lashtë dhe zëri i Shqipërisë moderne”. 

   Maks Velo shkroi librin “Zhdukja e poemës “Pashallarët e kuq” e Kadaresë. Anketim për një krim letrar”(2002). M.Velo:”Është një ngjarje e dhimbshme, si çdo zhdukje e një vepre letrare, apo artistike; si çdo sulm i shtetit kundër një shkrimtari, apo artisti. Shoqëritë civile janë të hapura. Për fat të keq, në vendin tonë vazhdon mbyllja. Mbyllja e dosjeve, sidomos e atyre të njerëzve publikë, është akt komunist lindor. Denoncimi për veprën e për vetë Kadarenë, u bë nga vetë Lidhja e Shkrimtarëve. Ata e quajtën veprën  “një krim letrar, të kryer nga Kadareja”. Kurse krimi qëndron në anën e tyre. Poema u shkrua më 1974 dhe u dërgua në tetor 1975, për botim në “Drita”.

U hoq nga shtypi në mesnatë. U sekuestrua dorëshkrimi. U mohua ekzistenca e saj. Kadareja ruajti  me fanatizëm për 20 vjet  pikturën “Vallja  labe” të Maks Velos. Kur Maksi doli  nga burgu, Kadareja ia ktheu pikturën. Maks Velo:”Më dogjën 260 vepra. Më mirë të më kishin vrarë”.   Në nëntor 2001 Nexhmije Hoxha, në një shkrim kundër Kadaresë, e përmend për herë të parë poemën, duke e cilësuar armiqësore. Duke u nisur nga autokritika e Kadaresë, ajo e quan autorin të pasinqertë, ngaqë 7 vjet më pas, më 1982, në “Pallatin e ëndrrave” ai ka përsëritur të njëjtin faj. Në një përgjigje publike, Kadare i drejtohet gruas së tiranit:”Ne nuk ishim aq budallenj, sa te ishim të çiltër me ju. Njeriu ka për detyrë të jetë i çiltër me homologun e vet, njeriun, por jo me bishën e egër. Kur përpara i del bisha, njeriu ka të drejtë të mbrohet. Ju ishit vrasës me thika në duar”.

    Gogoli:”Jeta është ndeshje e përhershme  ndërmjet  ëndrrës dhe realitetit”. Romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” -historia paralele e dy tiranive shpirtërore. Një skaner i sistemit diktatorial. Një rrëfim i zymtë, me hije skëterre. Sado që rrëfimin  e vendos në lashtësi, në zemrën e Perandorisë Osmane, Kadare aludon e kthehet në Shqipërinë totalitare, hermetike, të  gërryer nga kallëzimet. Ebu Qerimi (Mark Alemi) e di se është qenie e robëruar, e manipuluar. Ai është i nënshtruar, i trishtë, pa personalitet. Kurti:”Pallati i ëndrrave është më shtetërori, më i verbëri, më fatali. Pushteti nuk shfaqet. I fshehur, diktatori është i gjithëpranishëm dhe godet nga mugëtira. Pallati -një fiksion. Një skëterrë, ku nuk ka shpëtim e ngushëllim. Shkencë për të kontrolluar e shtypur individin. Vetëm forca imagjinative e Kadaresë, mund të përfytyrojë e strukturojë një  pallat të tillë, të  një shteti brutal e kriminal, një mekanizëm mizor, misterioz, të mallkuar, absurd. Një administratë shtetërore kundër shtetasve; që kontrollon ëndrrën, fjalën, mendimin dhe që përfaqëson bashkëjetesën e botës  reale me atë  irreale, të jetës me vdekjen. Sulltani kërkon nga shtetasit t`i dërgojë ëndrrat.

        Diktatori ynë priste  nga populi priste letra me denoncime, spiunime. Edhe Dosja  Kadare” përmban publikimin e 101 dokumenteve  me 200 faqe të periudhës komuniste, me akuza, spiunime e denoncime kundër Kadaresë. Ndërsa për të kundërshtuar çmimin “Nobel” janë dërguar 45.000 letra.     Qyprilinjtë bashkëpunimi me pushtuesit nuk i ka shndërruar në fis ottoman. Ebu Qerimi, ndërsa dëgjon lahutën, ndjehet shqoptar. Kurti, më shqiptari i fisit, arrestohet, kur rapsodët këndojnë. Te “Brezi i Hankonatëve” Basri Hankoni dërgon ëndrrën e tij në Tabir Saraj (Pallati i ëndrrave). Pas 4 muajve  i erdhi një përgëzim, ku i njoftohej se, në bazë kuptimit të ëndrrës së tij, ishte zbuluar e parandaluar një komplot në qytetin Karagjymryk. E emëruan nëpunës në gjykatore.

       Spiunime. atmosferë shekspiriane, në ankthin që krijon darka e vezirit, me ngjarjen tragjike. Një ëndërr e llahtarshme. Censura e ëndrrave përbën një absurditet grotesk e tragjik njëherazi. Ebu Qerimi as nuk e mendonte që, duke kaluar nëpër duar një ëndërr, përgatiste tragjedinë e dajës së vet. Ja një aspekt makabër. Të verbrit në kafene kishin qenë njerëz normalë, veçse  sytë e tyre ishin “të ligj”. Për të mbrojtur veten dhe shtetasit e tillë,  shteti osman kishte  nxjerrë një dekret, sipas të cilit u nxirreshin sytë dhe u jepej një pension i përhershëm. Letrat me kallëzime për njerëzit me sy të këqinj, mund të hidheshin në çdo kuti postare.

Komisioni shtetëror mblidhej një herë në muaj dhe vendoste se  cilëve fatkeqë  do t`u nxirreshin sytë, në bazë të kallëzimeve, “për të mirën e përgjithshme”, siç thuhej në fjalimin tradicional para të porsaverbuarve. Shkrimtarët e mëdhenj  janë profetë. Një ngjarje konkrete. Luan Maluka, artist, por edhe mjeshtër hekurkthyes. Një mëngjes, teksa pinte  kafe e konjak  me shokun e tij, Mehmet Isain, i tregon se ishte shumë i shqetësuar, pasi kishte parë në ëndërr shokun Enver, sikur i dhimbte dhëmballa dhe ai s`kishte mundësi ta ndihmonte, pasi pincat e hekurkthyesit nuk ishin shumë të mprehta. Ndërkaq Mehmeti ia ktheu:”Po mua të ma kishe sjellë, se ti e di sa të reja i kam pincat”. Kjo bisedë “me zarar”u dëgjua nga dikush, që e çoi atje ku duhej. U burgosën dhe në mars 1975 u dënuan me nga 7 vjet burg.  Luani në Spaç.

   Një tjetër krim mizor për shkak të ëndrrës. Më 30 dhjetor 1957. Xhelal Koprencka 25 vjeçar, intelektual erudite, përkthyes. Gjykatësi:”Ke ëndërruar e menduar të arratiseshe. 10 vjet heqje lirie! Pas 4 ridënimeve, po në emër të popullit, duke qenë në burg, me 9 maj 1979, u dënua me pushkatim. U dënua ëndrra,  ideja, mendimi. Realizëm magjik i dënuar. Diktatura -vdekje e lirisë dhe e të vërtetës, përmbysje e sistemit të vlerave. Në socializëm hetuesi i pashpirt konsiderohej patrot, ndërsa viktima tradhtar .Me Kadarenë nis letërsia e mirëfilltë universale, me mesazhe mbarënjerëzore. Kadareja- ndërgjegjja e kohës dhe e shoqërisë nën trysninë diktatoriale.

Ali Aliu:”Përmes krijimtarisë monumentale të Kadaresë, letërsia shqipe , për herë të parë, preku majat letrare evropiane e botërore”. Kadare e bëri gjuhën shqipe më të pasur, më të lirë,  më shprehëse, më intriguese  e më  tronditëse. Falë tij, shqipja është sot një gjuhë botërore e letërsisë artistike .Politika nuk ka pasur asnjëherë pushtet mbi të. Nuk e ka joshur as posti më i lartë i presidentit. Prandaj mbetet mjaft objektiv në gjykimin e historisë e të politikës, duke mishëruar ndërgjegjen e kohës dhe duke e shndërruar veprën  e tij   në një model të përkryer të artit, që përfaqëson të bukurën,të drejtën, moralin dhe të vërtetën; si edhe në një  mjet veprimi e nxitjeje për progresin e vendit e të popullit.

   Një vit pas ndarjes nga jeta të I.Kadaresë, lexues të pasionuar të veprës së tij  në Francë, morën iniciativën e krijimit të shoqatës “Miqtë e Shqipërisë”. Presidente  shkrimtarja  Mireille Clapot.  Anëtarë nderi: H.Kadare, T.Papavrami dhe ambasadorja e Francës në Shqipëri Katerine Suard. Mirej Klapo shprehet:”Vepra e Kadaresë është nga më të pasurat e shek.XX. Trajton pyetjet e mëdha politike, etike dhe historike, me një forcë letrare të jashtëzakonshme”.Mbledhja për krijimin e shoqatës u bë në kafe “Rostand” më 3 qershor 2025. Është vendi simbolik,që shkrimtari kish zgjedhur për të shkruar veprat e tij  të mrekullueshme, disa nga faqet më të fuqishme të krijimtarisë së tij. Këshilli baskiak i Parisit nderoi  Kadarenë me një pllakë përkujtimore, pranë shtëpisë ku jetoi e krijoi, në adresën 63 bulevardi “Saint Michele”. Këshilltarja  Maud Gatel u shpreh:”Kadare është pa dyshim autori shqiptar më i famshëm dhe më i vlerësuar ndërkombëtarisht; një zë universal kundër totalitarizmit”.                                                                                   

Më 28 tetor 1996 , kur Kadare u pranua anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale e Politike, presidenti M.Plantey u shpreh:”Ju Kadare,keni treguar fuqinë etike e politike të mesazhit letrar, kur ai mbështet kurajën dhe talentin. Diktaturën marksiste regresive ju e luftuat; vepra juaj, e drejtuar kryesisht kundër totalitarizmit, e luftoi”. Presidenti i Francës, Holland  më 2016  tha.”Kadare -ura lidhëse e Shqipërisë me Francën dhe Evropën. Ju, Kadare, jeni humanist i madh, po aq i rëndësishëm për shqiptarët, sa edhe për francezët. çdo libër juaji rrezaton kulturë. Ju jeni avokat  i Evropës, profet i pavarësisë së Shqipërisë”. Ndërsa presidenti Makron, kur i akordoi në Tiranë titullin e lartë “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”  I.Kadaresë, deklaroi:”Vepra e Kadaresë, e krijuar në diktaturë, nuk ka humbur asgjë nga fuqia e saj.  Ajo ka marrë bukurinë e guximit.  Kadare -poet i Ballkanitt, rapsod i Evropës, lajmëtar i lirisë. Ju jeni tashmë në qendër të Evropës. Ju e keni frymëzuar këtë kontinent”.