Tiranë, 21 qershor 2014 – Nuk kam kërkuar dorëheqjen e Sajmir Tahirit nga posti i ministrit të Brendshëm. Reagimi vjen nga lligjvënësi i LSI-së Gjovalin Kadeli, i cili i përmbahet deklaratës së bërë pak ditë më parë, sipas të cilës të paktën 12 deputetë të LSI do të kërkojnë largimin e një ministri nga Qeveria. Ndërsa vlerëson ndërhyrjen e policisë në Lazarat, Kadeli shprehet se “nuk kam kërkuar dorëheqjen e Tahirit, ndërhyrja në Lazarat ishte një punë e mirë”
“Unë e kam thënë në kohën dhe momentin e duhur dhe i përmbahem kësaj deklarate. Deputetët e LSI-së së shpejti do marrin një iniciativë, ku do t’i drejtohen kryeministrit Rama për largimin e të paktën një ministri. Jo më pak se 12 deputetë kanë vendosur të largohet një prej ministrave të kabinetit, për performancë të dobët, për mungesën e komunikimit me deputetët, duke mos qenë në rolin e duhur për të qenë pranë votuesve shqiptarë, pranë atyre që na kanë zgjedhur. Është me rëndësi që në Kuvend të mishërojmë zërin e votuesve. Asnjë nga deputetët e LSI-së nuk ka hyrë në zyrat e ministrave për zgjidhjen e problemeve të tyre, por të komunitetit”, tha Kadeli në një deklaratë për mediat, pak ditë më parë.
Reagimi i ligjvënësit në LSI vjen një ditë, pasi Kryeministri Edi Rama ka dhënë vlerësime maksimale për ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, ndërsa duke iu përgjigjur interesimit të mediave se çfarë qëndrimi do të mbante nëse LSI kërkonte shkarkimin e Tahirit u shpreh “këto kanë qenë ditë me shumë tym dhe unë kam qenë përqendruar tek tymi i Republikës më vete, që nuk ekziston më. Pjesën tjetër të tymit jua kam ju, se ju me atë jetoni”.
Gjithashtu, deklarata e Kadelit është cilësuar si personale dhe e nxituar edhe nga kreu i LSI Ilir Meta dhe Nënkryetari i kësaj partie Ylli Manjani. Dy drejtuesit e LSI janë shprehur se pavarësisht se ka nevojë për përmirësime, përsa i takon Qeverisë vlerësimi bëhet nga Kryeministri.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





