DURRËS, 8 nëntor 2014– Të premten, më 7 nëntor në ambjentet e Odeonit “Nikolin Xhoja”, Biblioteka Publike Durrës, në kuadrin e veprimtarive kushtuar librit zhvilloi pasditen letrare "Kadri Ali dhe vepra e tij".
Aktiviteti u krye nën kujdesin e veçantë të drejtoreshës së bibliotekës znj. Mirela Ylli dhe moderimin tejet profesional të moderatores e njëherazi punonjëses së bibliotekës znj. Teuta Dhima.
Pas buqetës së përshëndetjeve që u bënë nga drejtuesja e Bibliotekës Publike znj. Mirela Ylli, z. Tahir Myhedini, president i PDIU-së dhe z. Nikolla Spathari i cili i dhuroi edhe kartën e anëtarësisë zotit Kadri Ali, aktiviteti vijoi me diskutime shkencore mbi veprën e Kadri Aliut nga Prof. Dr. Shefqet Sahit Canhasi, Prof. Dr. Resmi Osmani dhe moderatorja Teuta Dhima.
Kësaj veprimtarie iu bashkangjitën dhe nxënësit e shkollës “ 14 nëntori”, të cilët kishin përgatitur disa recitime, nën kujdesin e drejtueses së shkollës, znj. Merita Thartori.
Gjithashtu një numër special ka qenë dhe kolazhi i valleve të kënduara, përgatitur nga koreografi Arjan Plaku dhe ekzekutuar nga grupi i valleve të QKF, Durrës.
Pasditja letraro-artistike u përmbyll me përshëndetjen e shkrimtarit Kadri Ali, të cilit iu dha një certifikatë vlerësimi nga Biblioteka Publike Durrës për kontributin e dhënë në pasurimin e saj, me titujt e veprave të autorit.
/g.b. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





