Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli është paraqitur sot për herë të parë në seancën gjyqësore para Gjykatës së Hagës
“Faleminderit i nderuar. I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat. Më lejoni të deklarohem me ndërgjegje të plotë se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Veseli para trupit gjykues lidhur me aktakuzën kundër tij të konfirmuar më 26 tetor 2020.
Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.
Aktakuza e ngarkon Kadri Veselin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.





