Yndyra e kafes është e pasur me thartirën linoleike, e cila është një antioksidues i fuqishëm, ka efekt antikancerogjen dhe stimulon sistemin imunitar. Në të njëjtën kohë, ajo pengon edhe plakjen e lëkurës dhe ka veti anti-inflamatore.  

Kurë freskuese për lëkurën

Ziejeni një kafe të fortë turke, hidheni në enë të vogla dhe ngrijeni në frigorifer. Më pas, me këtë akull trajtojeni lëkurën tuaj. Një gjë e tillë do të nxisë qarkullimin e gjakut dhe do të freskojë lëkurën tuaj.

Tonifikon lëkurën

Lëkurën e fytyrës në mëngjes pastrojeni me një copë pambuku, të zhytur në kafe të sapo përgatitur. Në këtë mënyrë jo vetëm që do ta unifikoni ngjyrën e fytyrës, por edhe do ta nxini atë lehtazi. 

Maska kundër rrudhave

Një lugë miell thekre përziejeni me një kafe tepër të fortë, por të ftohur. Përzierja të mos bëhet e trashë si krem. Kësaj përzierjeje më pas i shtojmë një të kuq veze dhe e përziejmë mirë. Këtë përzierje përhapeni në fytyrë, mbajeni 15 minuta, e më pas shpëlajeni mirë e mirë. 

Kurë kundër celulitit

Kafen e bluar të nxehtë vendoseni në vendet problematike dhe ato vende mbështillini me fletë plastike, lëreni që të veprojë 15 deri 20 minuta, e më pas lajeni mirë. Këtë kurë mund ta përsëritni dy herë në javë. Një mënyrë më e thjeshtë është që kafen e bluar ta shtoni në xhelin tuaj të preferuar për dush dhe, sa herë që të bëni dush, bëjini një masazh të lehtë trupit tuaj. 

Maska për flokë të errëta

Dy të kuq të vezëve përzijini me një lugë rum dhe dy lugë ujë të nxehtë, e më pas shtojeni edhe një lugë kafe të bluar dhe vaj bimor. Masën e fituar hidheni në flokë dhe lëreni që të veprojë për rreth pesë minuta, e më pas lajini flokët me ujë të nxehtë. 

Për shkëlqimin e flokëve të errëta

Nëse flokëve të errëta doni t'ua ktheni shkëlqimin e vjetër atëherë veproni në këtë mënyrë. Zieni e më pas lëreni të ftohet një kafe shumë të forte. Me të spërkatni flokët, e më pas krihni ato me kujdes